“Luanit sikur po fitonit 5-0, në një kohë kur po humbnit”, Bubeqi i irrituar me lojtarët e Besës: I kam nervat tel, turp të të mundë Maliqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 11:43

“Luanit sikur po fitonit 5-0, në një kohë kur po humbnit”, Bubeqi i irrituar me lojtarët e Besës: I kam nervat tel, turp të të mundë Maliqi

Sa shumë kritika për Besën. U mundën 3- 2 nga Maliqi në Korçë dhe trajneri i ka pasur nervat tel. Para se të niste stërvitja, Dorjan Bubeqi është shfaqur dukshëm i irrituar. Më shumë sesa për pikët e lëna, e ka me paraqitjen dhe mungesën e reagimit. Në analizën e zhvilluar, ai është ndalur gjerë e gjatë te të gjithë futbollistët dhe u ka kërkuar llogari për lojën. Mes të tjerash, ai është shprehur para lojtarëve:

Bubeqi

“T’ju vijë turp që ju mundi edhe Maliqi”. Edhe pse nuk i qeshte buza dhe dukshëm ishte në nerva, trajneri nuk hezitoi që të fliste për “Panorama Sport”. Ai analizoi atë që nuk shkoi në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, që e quan të pafalshme.

“Sikur disa djem nga rrethinat të kishim dërguar, do ta trembnin Maliqin vetëm me fanellë dhe jo më të ndodhte ajo që ndodhi… Për Maliqin dhe shumë ekipe të Kategorisë së Parë, duhet ta kenë festë kur të luajnë me Besën. Vërtet që kundërshtari garon sikur ne, por është shumë larg gjithçkaje që ka arritur Besa ndër vite.

Pashë një ekip që luante sikur kishte fituar 5-0 dhe jo sikur po mundeshin. Shpërdoronin raste pa fund, jo kur ishim me 11 lojtarë në fushë, por edhe kur Dajçi mori të kuqin.

Ndërsa prisja e besoja se dikush do korrigjonte, të paktën 2-3 herë para portës vijuan shpërdorimet sa isha gati të hyja në fushë. Logjike pastaj, që edhe një ekip U-17 apo U-19 të mund, nëse ti mund veten, më saktë.

Ishte ndeshja më e dobët e këtij sezoni. Do pranoja të mundeshim nga Bylisi, Erzeni, Korabi apo dhe Tërbuni e Lushnja apo dikush tjetër, por kurrë nga Maliqi.

Që ekipi humbet është normale, sikurse barazon apo fiton, por nuk ishte kjo ndeshja për të cilën mund të gjendet qoftë dhe 1% arsye. Më saktë e më qartë, ia falëm fitoren dhe kjo është sa e pafalshme aq edhe turp.

Nuk e di çfarë të them më tepër dhe kaq kohë jua rezervova për respekt ndaj ‘Panorama Sport’ që e çmoj për mbështetjen, profesionalizmin që tregon, se vërtet i kam nervat tel”, e mbylli deklaratën Bubeqi, duke ngritur direkt tonet ndaj lojtarëve që prisnin të rreshtuar për të nisur stërvitjen.

Gjatë zhvillimit të saj, u pa një Bubeq që asnjëherë nuk i qeshi fytyra dhe zëri i tij ishte më i sertë nga ç‘jemi mësuar shpesh ta shohim në stërvitje apo ndeshje.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"