“Luani shumë mirë për 30 minuta dhe pastaj çorientoheni”, Sampaio bën analizë dhe terapi te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2021 | 13:37

“Luani shumë mirë për 30 minuta dhe pastaj çorientoheni”, Sampaio bën analizë dhe terapi te Flamurtari

Rui Sampaio pret një Flamurtar sa më sulmues. Trajneri kërkon më shumë goditje në portë dhe një sulm prodhimtar. Në seancën e djeshme, portugezi e ka “shtrydhur” skuadrën nga ana fizike, por ndjeshëm u mor edhe me… golin. Portugezi i ka dhënë shumë rëndësi ditëve të fundit çështjes së finalizimit.

SAMPAIO

Duke qenë se Flamurtari ka një ekip me lojtarë të rinj në moshë, ata duhet të fitojnë siguri dhe qetësi para porte. Trajnerit i është dashur që të bëjë edhe rolin e psikologut, për t’i karikuar më shumë të tijtë dhe për t’u dhënë zemër. Duke analizuar pamje filmike nga ndeshja me Elbasanin, Sampaio ka tërhequr vëmendjen për rastet e shpërdoruara, por edhe për shpërqendrimin që vjen për arsye të mungesës së eksperiencës.

Ndërkohë, ka kërkuar të mos përsëriten me Lushnjën të njëjtat gabime. “Luani shumë mirë për 30 minuta dhe pastaj çorientoheni. Nuk duhet të ndodhë kështu në ndeshjen e radhës. Krijoni raste, por mungon finalizimi. Sigurisht që ka të bëjë edhe eksperienca, por nëse jeni të qetë mund të bëni edhe më shumë. Tregohuni të kujdesshëm me Lushnjën. Dua një ekip sulmues. Bashkë do t’ia dalim. Ju jeni lojtarë të talentuar”, kanë qenë disa nga fjalët motivuese të portugezit para ekipit.

unnamed

MOSFEDERIMI – Nuk ka më shpresa për federimin e lojtarëve që erdhën në janar. Merkatoja nuk do të hapet, ndaj kanë nisur edhe largimet. I pari ka ikur Stiven Puci, që ka shkuar te Luftëtari. Në të njëjtën rrugë duket edhe Alvi Ahmetaj, pasi shpresat janë shuar tashmë.

Paulo Rikardo kërkoi gjithashtu që të largohej pak ditë më parë, por është bindur nga trajneri Rui Sampaio. Ky i fundit i ka kërkuar që të presë edhe pak. Por, burimet pranë FSHF-së pohojnë për “Panorama Sport” se nuk ka asnjë shans që merkatoja e Flamurtarit të hapet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"