Luan stolin me Skocinë, zbardhet plani i Panuçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 11:25

Luan stolin me Skocinë, zbardhet plani i Panuçit

Ekipi Kombëtar po përgatit detajet e fundit në kuadër të sfidës me Skocinë. Panuçi ka vijuar testet e lojtarëve dhe modulit të lojës që do përdoret, ndërsa nuk është saktësuar ende plotësisht skema. Nëse dy ditët e para Mavraj nuk kishte asnjë test me titullarët e mundshëm, dje është vënë re e kundërta: kapiteni rifiton pozitat në 11-she.

SKEMA – Është provuar shumë skema me 3 mbrojtës, por nuk përjashtohet mundësia që të luhet me 4 në prapavijë, në rast se Veseli do të bindë trajnerin si mbrojtës i djathtë. Edhe dje, italiani testoi disa lojtarë në pozicione të ndryshme dhe sot në seancën përmbyllëse do të vendosë pikat mbi “I”. Nga ana e tyre, lojtarët po japin maksimumin për të fituar një vend titullar, duke qenë se askush nuk e ndien veten të sigurt në rreshtimin e parë, por kjo nuk varet vetëm nga forma e tyre, sepse kryesor në vendim do të jetë edhe moduli i lojës.

Capture

FORMACIONI — Trajneri Panuçi do të vendosë sot mbi 11-shen që do aktivizojë nga minuta e parë në sfidën ndaj Skocisë. Në mungesë të Bashës dhe sidomos Hysajt në të djathtë, ku në pikëpyetje është edhe Grezda, italiani ka projektuar deri tani vetëm disa titullarë. Të paktën nga çka la të kuptohet nga seanca e djeshme stërvitore, Panuçi ka piketuar vetëm Kaçen, Xhakën, Lilajn, Memushajn, Uzunin dhe Gavazajn, ndërsa në pikëpyetje janë Vrioni dhe Balaj, për të cilët italiani do të vendosë sot në seancën përmbyllëse. Vrioni u paraqit shumë mirë dje, duke shënuar rregullisht gjatë zbatimit të skemave. Sakaq, në repartin e prapavijës ka më shumë balotazhe, pasi ende është jo 100% e sigurt skema, me 3 apo katër në prapavijë. Italiani herë ka provuar treshen Gjimshiti-Biniaku-Ismajli dhe herë Mavraj-Veseli-Demarku. Me Veselin të projektuar si mbrojtës të djathtë, nëse do të bindë Panuçin, atëherë mund të ketë edhe mbrojtje me Veselin, Mavrajn, Gjimshitin dhe Binakun. Në të kundërt, shtohet vend për Lilajn në mesfushë përkrah Kaçes e Xhakës në qendër.

Capture1

GODITJE STANDARDE – Kristian Panuçi do të tentojë të godasë kundërshtarin me pikën e tyre më të fortë që është lufta në ajër. Gjatë seancës stërvitore të pasdites së djeshme, italiani u fokusua totalisht te lufta në ajër, pra te goditjet standarde ku aplikoi skemën sulmuese dhe mbrojtëse. Balaj dhe Vrioni, të cilët po luftojnë për një vend titullari, u testuan përgjatë gjithë kohës duke u furnizuar me krosime nga të dy krahët. Gjithashtu, Panuçi rëndësi të veçantë i dha edhe repartit të mbrojtjes, të cilin e testoi disa herë në goditjet standarde, që është një ndër pikat më të forta të kundërshtarit të radhës, me qëllim të mos kapet në befasi nga skocezët, ku 3 nga katër golat e pësuar, Shqipëria i ka marrë në lojë inaktive. Gjatë skemave, Mavraj e Gjimshiti kanë dhënë sinjale tejet pozitive në zgjidhjen e situatave, duke “blinduar” prapavijën.

IZOLIMI – Trajneri Panuçi po e përgatit me detaje këtë sfidë dhe i druhet faktit që mund të dalin informacione nga puna që bëhet në stërvitje. Ndaj ka kërkuar që i gjithë territori i qendrës stërvitore të jetë nën monitorimin e sjuartëve. Këta të fundit ishin vendosur mbi murin rrethues, të cilët nuk lejuan të qëndronte asnjë person në një distancë prej rreth 20-30 metrash nga muri rrethues.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"