Luan sezonin e dytë në Durrës, Avdyli sheh një Teutë të etur: Martini na ndryshoi psikologjikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 20:21

Luan sezonin e dytë në Durrës, Avdyli sheh një Teutë të etur: Martini na ndryshoi psikologjikisht

Një ndër lojtarët më të dalluar në sezonin e fundit te Teuta është mesfushori kosovar, Florent Avdyli. Ai luan sezonin e tij të dytë me fanellën e durrsakëve, ndërsa ka qenë një prej titullarëve fiks në skuadër, si me ish-trajnerin Bledi Shkëmbi, ashtu edhe me kreun aktual të pankinës, Edi Martini.

avdyli-florent

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori prizrenas flet për pjesën e parë të sezonit, ndërsa pranon se trajneri i ri ka sjellë ndryshim në aspektin psikologjik.

Florent, çfarë mbresash ju ka lënë ky vit? 

Besoj se ka qenë një vit pozitiv në aspektin profesional. Sigurisht sezoni i kaluar, ku u renditëm të tretët dhe morëm pjesë në Europë, janë gjëra që mbahen mend. Deri më tani kemi bërë mirë, duke qenë vetëm 3 pikë larg kreut. Do ta cilësoja një vit tejet pozitiv.

E mbyllët me dy fitore radhazi, çfarë ndryshoi në fund? 

Në ndeshjen e fundit në Vlorë kemi bërë mirë në fushën e lojës. Kemi marrë atë që kemi prodhuar. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, por të them të drejtën, e kishim pak frikë ndeshjen në Vlorë, ndaj një kundërshtari që mendoj nuk ka përgjegjësinë e Teutës.

A është kjo pika e kthesës për Teutën?

Këto dy fitore ishin të rëndësishme për vazhdimësinë dhe tani duhet të punojmë më shumë që të rikuperojmë pikët e lëna në 17 javët e para. Me zhbllokimin e skuadrës sa u përket golave, besoj se e kemi kaluar krizën.

 Pikërisht golat kanë qenë me pikatore, pse?

Ekipi ka zhvilluar ndeshje të mira dhe kjo gjë na jepte besim që do vinte një moment në kampionat që do shënonim shumë. Serioziteti dhe besimi që kanë drejtuesit te Teuta bëri që edhe presioni i madh që kishim të mos ndihej aq shumë.

avdyli krasniqi

 Çfarë ka ndryshuar në skuadër me Martinin trajner?

Profesori nuk kishte shumë kohë që të ndryshonte ndonjë gjë nga ana fizike apo taktike, por u mundua që të punonte më shumë nga ana psikologjike dhe besoj se ia arriti qëllimit.

Po luani sezonin e dytë në Durrës, si ndiheni? 

Te Teuta gjeta një ambient pozitiv, shokë dhe lojtarë të mirë. Dëshiroj të jap më të mirën time dhe për këtë arsye stërvitem fort çdo ditë.

 Ku e shikoni Teutën në fund të sezonit?

Dua vetëm fitore në ndeshjen e radhës, nuk mund të flasim tani që do të shpallemi kampionë. Dëshiroj vetëm fitoren e radhës, pasi në këtë mënyrë jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat madhorë.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"