Luan në mbrojtje nga halli, “xholi” Kukeli: Unë jam mesfushor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2017 | 15:34

Luan në mbrojtje nga halli, “xholi” Kukeli: Unë jam mesfushor

Burim Kukeli bëhet gati të zgjidhë përsëri një telash të prapavijës së kombëtares shqiptare të futbollit. Futbollisti 33-vjeçar, i cili ka kaluar thuajse gjithë karrierën e tij në mesfushë, në radhët e kuqezinjve është kthyer në “xholin” nga i cili De Biazi kthen sytë kur ka ndonjë mungesë të rëndësishme në qendër të mbrojtjes.

Kukeli vs Izrael

“Kemi mungesa qendërmbrojtësish të dëmtuar e me kartonë, është një pozicion ku mund të luaj. E  kam treguar edhe në Europian ndaj Zvicrës, apo një pjesë loje me Izraelin. Por në fund të fundit është trajneri që do të vendosë, luaj në atë vend që thotë trajneri e mundohemi të bëjmë maksimumin për të ndihmuar ekipin”, u shpreh futbollisti në konferencën e sotme për shtyp nga grumbullimi i kombëtares.

Ndonëse pranon se mund të luajë në mbrojtje, Kukeli e ndjen veten mesfushor dhe këtë nuk e fsheh.

“Gati të gjitha ndeshjet në karrierë i kam luajtur mesfushor, ndonjë ndeshje për shkak dëmtimi a pezullimi kam luajtur qendërmbrojtës, pasi normalisht jam në mesfushë. Mund t’i bëj të dy pozicionet, por normalisht unë jam mesfushor”, theksoi ai.

zahavi kukeli

Sido që të jetë skema e lojës dhe kudo që të rreshtohet Kukeli në fushë, ai është i ndërgjegjshëm që ndaj Italisë, Shqipëria ka shanse për të bërë një ndeshje më të mirë, pasi me ekipe më të mëdha është më e lehtë të luash dhe motivimi nuk mungon kurrë.

“Normalisht, kundër ekipeve të mëdha është lojë më e bukur, motivim më i madh, është edhe ndeshje më e hapur. Mendoj se për lojën që bëjmë ne, kundër ekipeve të tilla është më e mirë. Mendoj se normalisht edhe ne kemi kualitet dhe në ndeshje të mëdha kemi treguar edhe ne veten se si mund të luajmë. Pastaj çdo herë, sidomos kundër ekipeve të mëdha, ekziston një motivim më i madh”, theksoi Kukeli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"