Luan Birçe ndez sfidën me Partizanin: Ka ardhur ora e Flamurtarit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 9:39

Luan Birçe ndez sfidën me Partizanin: Ka ardhur ora e Flamurtarit!

Luan Birçe kërkon vetëm fitoren në ndeshjen me Partizanin. Trajneri i Flamurtarit ndez sfidën, ndërsa mendon se ka ardhur ora e vlonjatëve.

luan birce

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport“, ai e cilëson një ndeshje shumë të vështirë, por jo të pamundur për të arritur një rezultat pozitiv. “Me Partizanin është një ndeshje shumë e vështirë dhe ne i dimë fare mirë problemet e këtij takimi. Por, të gjitha ndeshjet i konsiderojmë njësoj. Partizani është ekipi kampion në fuqi dhe sërish në vendin e parë. Në këtë kuptim, ndeshja merr nota maksimale në kuptimin e vlerësimit. Po punojmë gjatë gjithë javës.

Futbollistët kanë qenë seriozë dhe të përkushtuar për të arritur në ditën e ndeshjes. Mendoj se gjithçka do t’ia lëmë fushës së lojës. Unë kërkoj nga lojtarët që të japin maksimumin, të tregojnë veten e tyre dhe të respektojnë fanellën. Në takimet që luhen në Vlorë, duhet të bëhet më e mira, në respekt edhe të tifozëve që po na mbështesin edhe në këto momente të vështira”, tha fillimisht Birçe, ndërsa i rikthehet edhe njëherë sfidës me Kukësin. “Zhvilluam një lojë të mirë me Kukësin. Meritonim diçka më tepër, ndoshta edhe fitoren. Megjithatë, kështu e ka futbolli, po nuk shfrytëzove rastin, nuk merr atë që të takon”, shtoi ish-portieri i kuqezinjve.

luan birce

SITUATA – Flamurtari do të ketë mungesa në përballjen me Partizanin. “Në fakt, mungesa kemi pasur gjatë gjithë këtyre ndeshjeve. Emra të njohur dhe të mirëbesuar për formacionin tonë. Por, do të kemi edhe të tjerë lojtarë që për të dielën nuk do të jenë gati. Tani nuk mund të flas ende me siguri që kush do të mungojë, pasi kemi kohë derisa të vijë dita e ndeshjes. Unë shpresoj që të rikuperohen. Me ata djem që kam në dispozicion, do të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen me Partizanin”, deklaroi trajneri i vlonjatëve. Në fund, ai foli edhe për pozitat e tij, ndërsa nga përgatitësi i portierëve ka kaluar në krye të pankinës. Birçe theksoi se do të jetë totalisht i përkushtuar edhe nëse do të vijë dikush tjetër në të ardhmen.

“Nëse do të vazhdoj të jem trajneri i Flamurtarit, do të vijoj me të njëjtin përkushtim. Është presidenti ai që vendos për trajnerin. Edhe nëse do të shikohet dikush tjetër në të ardhmen, do ta mirëpres”, përfundon Birçe.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"