Luajti me të qepura në kokë, Ndreca: Kukësi meriton më shumë, nuk na trembin golat e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 21:00

Luajti me të qepura në kokë, Ndreca: Kukësi meriton më shumë, nuk na trembin golat e Vllaznisë

Barazimi ndaj Partizanit shihet si një rezultat pozitiv te Kukësi, ndonëse në fushë patën hyrë për tri pikët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë i verilindorëve dhe një nga titullarët e kësaj skuadre, Edison Ndreca, shprehet se tani duhet të fillojnë të mendojnë për Vllazninë duke mos iu druajtur paraqitjes që shkodranët bënë në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos. 27-vjeçari është i kënaqur me paraqitjen që ka bërë skuadra deri më tani, por “qan” pikët, ku sipas tij kanë merituar më shumë nga sa kanë marrë. Ndreca shpreson të lërë pas edhe dëmtimet, ndërkohë që me rikthimin së shpejti në stadiumin “Zeqir Ymeri”, e sheh më të fortë Kukësin.

ndreca kukesi

Edison, ju kënaqi barazimi me Partizanin apo prisnit më shumë?
Çdo pikë ka rëndësinë e saj, sepse në fund të një kampionati bëhen llogaritë. Realisht ne në çdo ndeshje futemi në fushë për të marrë tri pikët, ashtu si edhe me Partizanin. Por, me mënyrën sesi rrodhi takimi, besoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë për të dy ekipet.

Duket se nuk ju ka ecur me dëmtimet, sepse edhe me Partizanin luajtët me kokën e fashuar…
Kam pasur një dëmtim në stërvitje, ku edhe jam detyruar të bëja disa të qepura në kokë. Prandaj kam luajtur i fashuar, por tani mendoj se çdo gjë ka kaluar dhe nuk besoj se kam më probleme. Më mbetet vetëm të shpresoj që dëmtimet dhe problemet të mbyllen me kaq dhe të vijoj të luaj një sezon në formë.

Pas pesë javëve jeni në kuotën e tetë pikëve. Jeni i kënaqur me këtë ecuri?
Në fakt, në këtë fillim kampionati, të gjitha ekipet janë aty-aty me pikë, ku ka një ngjeshje për të treguar edhe kampionatin e fortë që po bëhet. Gjithsesi, mendoj se kemi bërë ndeshje të mira deri tani, kemi merituar më shumë pikë se nga çfarë kemi aktualisht duke parë atë që kemi dhënë në fushë.

Në fundjavë do të përballeni me Vllazninë, si e prisni?
Mendoj që do të jetë një përballje e bukur, edhe për faktin se do të ndeshemi me një ekip që luan hapur si ne. Ndaj, mendoj që do jetë njëkohësisht një ndeshje e bukur dhe me emocion.

Ju tremb fakti që shkodranët vijnë pas një ndeshjeje ku fituan thellë ndaj Dinamos?
Jo, jo. Ne nuk na tremb asnjë kundërshtar. Ne trembemi vetëm nga vetja jonë dhe mendoj se kemi ekipin më të mirë se çdo ekip tjetër.

Në Kukës nuk po e përmendin fjalën titull, a është një strategji kjo për të mos pasur presion te skuadra?
Kemi hyrë në këtë kampionat për të mos bërë llogari. E kemi përmendur shpesh që më e rëndësishme për ne është ndeshja e radhës. Llogaritë do të bëhen vetëm në fund të kampionatit, e rëndësishme është që ne të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe të tjerat vijnë vet pastaj.

Sa i rëndësishëm është për ju rikthimi në stadiumin “Zeqir Ymeri”, pasi ka gjasa të ndodhë së shpejti?
Rikthimin në shtëpi e shoh si një armë shumë të fortë për ne. Tani na mbetet të kthehemi sa më shpejt afër tifozërisë sonë, sepse kemi shumë nevojë për ta.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"