Luajti me 6 lojtarë të pafederuar, klubi i Kategorisë së Dytë humbet ndeshjen në tavolinë/ Flet trajneri: Ja si qëndron e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 14:42

Luajti me 6 lojtarë të pafederuar, klubi i Kategorisë së Dytë humbet ndeshjen në tavolinë/ Flet trajneri: Ja si qëndron e vërteta

E pëson Bulqiza. Edhe pse më 8 sh kurt fitoi me shifrat 3-1 përballë Tërbunit, rezultati është i pavlefshëm. Pas ankesës që kishin bërë pukjanët, Komisioni i Disiplinës ka vendosur që t’ua japë trepikëshin në tavolinë. Shkaku: bulqizakët kishin aktivizuar 6 lojtarë të pafederuar. Në Kategorinë e Dytë ekziston një rregull, që nuk lejon më shumë se 5 lojtarë jashtë qarkut në ekip. Dhe duket se skuadra nga Bulqiza e ka shkelur.
Bulqiza-Terbuni
E megjithatë, ndryshe mendon trajneri Hakik Çekiçi. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai është shprehur më shumë se i habitur nga dënimi dhe i kërkon federatës që t’i gjejë lojtarin e 6-të, pasi vetëm qartëson se 5 kanë pasur në protokoll. “Jemi të habitur nga vendimi. Ne kemi të protokolluar dhe emrat e futbollistëve që janë aktivizuar në atë ndeshje dhe çdo gjë është në rregull. Nuk ka asnjë shkelje.
Hakik Cekici
Janë futur vetëm 5 lojtarë që nuk janë banorë të rrethit tonë. Këtë numër ka vendosur edhe FSHF si kusht dhe aq kishim edhe ne. Terenc Mema, Rigers Balliu, Denis Myrta, Donald Saliaj e Denis Taku janë lojtarët jashtë qarkut, tani pres që të 6-shtin të ma gjejë ky komision. Disiplina na detyrohet një sqarim, pasi po humbasim një ndeshje që e fituam me meritë. Ky formacion ka luajtur gjatë gjithë kampionatit dhe asnjë prej këtyre emrave nuk ka rezultuar të jetë i pafederuar.
Bulqiza
Ne nuk jemi ende të qartë se për çfarë pretendon pala akuzuese. Nëse pretendohet se është tejkaluar numri i lojtarëve jashtë qarkut, atëherë është absurde. Ne kemi të gjithë kartonët e federimit të këtyre lojtarëve. E përsëris, janë vetëm 5 lojtarë jashtë qarkut tonë, ashtu siç është rregullorja.
Nëse pretendohet për ndonjë parregullsi, për dënime me kartonë ose dënime disiplinore të individëve, edhe për këtë mund të themi pa asnjë mëdyshje se nuk na rezulton asnjë lojtar që të mos aktivizohej atë ndeshje. Klubi ynë ka zbatuar me përpikëri të gjitha rregullat që kërkon federata dhe janë aktivizuar të gjithë ata lojtarë që figurojnë të licencuar pranë ekipit tonë. Ne do ta ankimojmë këtë dënim pranë FSHF-së dhe Komisionit të Apelit”, përfundon kryepankina bulqizake.
PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"