“Luajtëm një futboll burrëror”, Myler i kundërpërgjigjet deklaratës së Corkut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2019 | 22:24

“Luajtëm një futboll burrëror”, Myler i kundërpërgjigjet deklaratës së Corkut

Tomas Myler ishte edhe një herë tjetër një nga lojtarët më të mirë për skuadrën e Bajernit. Gjermani që ka ulur në stol Filipe Kutinjon, dha dy asiste në fitoren 4-0 ndaj rivalëve të Dortmundit. Pas takimit gëzimi në fytyrën e tij ishte i dukshëm, kjo më se legjitime duke parë edhe lojën e zhvilluar nga ai dhe skuadra.

Myler

“Komplimente skuadrës për këtë performancë. Bëmë atë që na kishte kërkuar trajneri në këto dy ditët e fundit. U treguam të guximshëm, duke marrë kontrollin e lojës që në minutat e para”, tha Myler për “Focus”. Mesfushori nuk harroi të bënte ironi me shprehjen e Corkut, i cili tha para ndeshjes se në ndeshje të tilla duhen burra.

“Ashtu siç e patë edhe vetë, ndeshja foli vetëm për ne. Bëmë një futboll burrash, ashtu siç na u kërkua nga kundërshtari. Mosha ime? E di që jam pak i vjetër, por kjo nuk më demoralizon”. Në lidhje me diferencat mes dy skuadrave, Myler tha se Bajerni tregoi edhe një herë tjetër pse qëndronte më lart se verdhezinjtë.

“Tifozët e kuptuan se përse jemi shpallur kampion për shtatë vite radhazi. Është gjithmonë fantastike kur Dortmundi vjen në Mynih dhe ndeshja shkon në këtë mënyrë. Kjo nuk ka të bëjë me mentalitetin, por me mënyrën se si skuadra përgatitet të luajë ndeshje të tilla.

Teknikisht ishim më lart se kundërshtari. Borusia ka cilësi, por sot (dje) nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Kampionati është ende i gjatë dhe nuk jemi ende aty ku duhet të ishim, por jam i bindur që nëse vazhdojmë kështu, herët a vonë do të jemi në vendin e parë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"