“Luajtëm 10 kundër 12”, Olsi Rama shpërthen kundër gjyqtarit dhe FSHF-së: Pabarazi! Romero bëri vetëm gjysëm faulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 21:50

“Luajtëm 10 kundër 12”, Olsi Rama shpërthen kundër gjyqtarit dhe FSHF-së: Pabarazi! Romero bëri vetëm gjysëm faulli

Partizani barazoi në shtëpi ndaj Teutës, mes rezultatin 1-1 në një sfidë tepër të kontestuar, teksa të kuqtë u detyruan ta luanin me 10 lojtarë këtë përballje për afro 1 orë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Romeros. Në prononcimin pas ndeshjes për mediat, drejtori i Partizanit, Olsi Rama, nuk i fshehu rezervat në lidhje me gjykimin dhe vendimin e FSHF-së për ta luajtur ndeshjen pa tifozë, teksa u shpreh:

Olsi Rama

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e të gjithë djemve sot. Mendoj që kampionati jonë i vërtetë fillon sot. Kishim një hapje me fitore në derbi, por sot treguam që jemi një ekip që kemi bërë hapa përpara. Në ecurinë tonë, rëndësinë më të madhe se sa 3 pikët ka paraqitja e ekipit, intensiteti, përqendrimi dhe mënyrë se si luajnë. Sot fatkeqësisht e filluam ndeshjen me një karton të kuq. Kartoni i kuq ishte përkundrejt lojtarit tonë të 12-të, tifozëve, të cilët nuk patëm mundësi t’i kishim në stadium me gjithë dëshirën tonë për t’i patur. Duke u përpjekur me FSHF dhe Komisionin e Disiplinës që të konvertonim dënimin.

Një pabarazi gjykimi kjo për sa i përket Tiranës që arriti të shlyente një ndeshje të dënimit me sfidën e Kupës, ndërsa ne jo. Na u hoq një element shumë i rëndësishëm i lojës tonë, lojtari i 12-të dhe fatkeqësisht kemi luajtur ndeshjen në një situatë 10 kundër 12. Unë nuk merrem me episodet jam gjithmonë shumë i gatshëm të pranoj dhe toleroj shumë element të ndeshjes edhe për sa i përket arbitrave.

Nuk po merrem fare me kartonat e verdhë që mori Romero, që në 36 minuta bëri vetëm një gjysëm faulli dhe u dënua me karton të kuq, ndërkohë që mbrojtësi i djathtë i Teutës, në mënyrë flagrante ndaloi Melon. Ajo ndërhyrje është një karton i verdhë në mesfushë, kur ndërpret aksionin dhe jo më ndaj një lojtari që ishte duke shkuar drejt portës dhe do ishte kartoni i dytë i verdhë, që do e vinte lojën në baraspeshë.

Kjo është një ngjarje që unë do ta përshkruaj si gabim delitantesk. Arbritri ka kaq kohë që gjykon në Superiore që fatkeqësisht vazhdon të bëjë të tilla gabime, ose një keqdashje e tij, që në mënyrë evidente nuk ndëshkon 2 lojtarë me uniformën blu vetëm se nuk do që të vejë drejtësi në fushë. Kam 2 vjet drejtor i Partizanit. Protestat e mija ndaj abitrit kanë qenë vetëm 1 herë në ndeshjen ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”.

Gjykoj që djemtë sot dhanë shumë kundrejt ekipit që vazhdon të jetë i pari në klasifikim. Merituan të fitonin dhe të merrnin shumë më tepër se 1 pikë. I përgëzova dhe i falënderova gjithashtu. Ajo që mua më intereson dhe i intereson dhe stafit teknik është që ne të rrisim nivelin e lojës. Kemi një pushim që do të na japi mundësinë të rikuperojmë një pjesë të energjive. Kam besim tek ekipi dhe ecuria e mëtejshme…

“Unë nuk i druhem asgjëje. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me arbitrat. Shumë të mirë në sensin që nuk iu futem fare në punët e tyre. I shtrëngoj dorën para fillimit të ndeshjes. Në qoftë se ndonjëherë kërkoj ndonjë gjë, ajo është drejtësia. Nuk po merrem me faullat e Romeros dhe sa e meritoi kartonin e kuq. Po merrem vetëm me një episod flagrant, që ishte një mbajtje e qëllimshme e mbrojtësit të Teutës kundrejt Melos që edhe në mes të fushës në çdo kampionat të botës sanksionohet me karton të verdhë, që do të ishte kartoni i dytë i verdhë dhe pastaj në baraspeshë 10 me 10 do të shikonim si do të shkonte ndeshja. Që nga fillimi i lojës edhe kur ishim me 10 lojtarë, e kemi mbajtur në presion të vazhdueshëm Teutën. Meritonim më tepër, por kënaqemi me kaq saç është nga ana morale dhe lojës së shprehur në fushë.

Do iu them lojtarëve që të zbresin në fushë duke menduar vetëm për elementët e lojës së tyre dhe nuk duhet të merren fare me gjykimin.Ky është hapi konkret që do marr unë. Besoj te fakti që në kampionatin shqiptar duhet të ketë më shumë fair-play.

Lojtarëve të mi iu thashë në pushim që s’duhet të merren fare me arbitrin dhe të vazhdojnë të luajnë. Ia le komisionit të arbitrave që të gjykojnë sa korrekt ishte gjykimi në këtë ndeshje.

Partizani s’ka pse të fillojë të mendojë që të luajë me 10 lojtarë. Kjo nuk do të thotë që ne gjendemi mirë që luajmë me 10 lojtarë. Unë kam dëshirë të luajmë me 15-16, sepse janë të gjithë lojtarë që mund të japim shumë për Partizanin. Edhe ata që janë në stol meritojnë minuta për të cilat stërviten. Do të vazhdoj të besoj të besoj te fakti që deri në një farë mase këto janë gabime njerëzore”, u shpreh Rama pas ndeshjes!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"