Luajnë ndaj Kastriotit, lojtari i Kukësit tregon për pozicionin e ri: Në mbrojtje po ndihem mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 12:18

Luajnë ndaj Kastriotit, lojtari i Kukësit tregon për pozicionin e ri: Në mbrojtje po ndihem mirë

Ardit Hila ka besim te Kukësi i këtij sezoni dhe shpreson që të vijojnë me rezultatet pozitive edhe ndaj kundërshtarit të radhës, siç është Kastrioti. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori i kthyer në mbrojtje për hir të skuadrës, pohon se e kanë vlerësuar maksimalisht edhe kundërshtarin e nesërm. “Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme që ta nisësh me tri pikë për vazhdimësinë e ekipit dhe për moral. Mirëpo, tani e gjithë vëmendja është te ndeshja e radhës, të cilën e vlerësojmë maksimalisht, ashtu si edhe kundërshtarin, por shpresojmë për një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht 28-vjeçari i skuadrës verilindore.

ardit hila

ROLI I RI – Në vijim të fjalës së tij, Hila flet edhe për rolin e ri në fushë, si edhe stilin e lojës që po aplikon trajneri. Në lidhje me ambientimin, elbasanasi pohon se tani janë përshtatur mirë me njëri-tjetrin. “Në mbrojtje po ndihem mirë, edhe pse nuk është roli im kryesor. Gjithsesi, jam përshtatur shumë mirë, sepse loja që trajneri na kërkon, varet te dyshja e qendrës, në të cilën jam unë me Lulajn. Kemi pasur shumë ndryshime në ekip, por kemi dy muaj bashkë që stërvitemi shumë fort dhe ka djem të rinj që janë shumë të etur për sukses. Ndaj, mendoj që kemi pasur kohën e duhur për t’u ambientuar me njëri-tjetrin. Në qoftë se zbatohen detyrat e trajnerit dhe çdo futbollist e sheh trajnerin si njeriun e duhur që mund të na përmirësojë, çdo vështirësi bëhet më e thjeshtë. Deri tani na ka ecur shumë mirë dhe po bëjmë lojën që trajneri kërkon”, vijoi më tej Ardit Hila.

OBJEKTIVAT – Sa u përket objektivave, ai nuk kërkon të bëjë premtime, por te Kukësi dihet që synohet gjithnjë maksimumi. Por, sipas tij, këto llogari do të bëhen në fund. “Dihen objektivat e Kukësit, por fillimisht ne kemi objektiv ndeshjen e radhës dhe pastaj llogaritë do t’i bëjmë në fund. Çdo gjë do e shohim hap pas hapi”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën mesfushori i Kukësit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"