“Luajmë sezonin, e mposhtim Burrelin”, Canaj: Kemi zbukuruar garën, na bën punë vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2021 | 9:38

“Luajmë sezonin, e mposhtim Burrelin”, Canaj: Kemi zbukuruar garën, na bën punë vetëm fitorja

Korabi do “rokadën”. Të dielën presin në shtëpi Burrelin dhe synimi është i qartë: fitorja dhe marrja e vendit të dytë. Luhet derbi i qarkut të Dibrës dhe spektakli është i garantuar. Përballë do të vihen dy skuadra që i kanë dhënë bukurinë kampionatit dhe mbi të gjitha ia kanë bërë “malore” Dinamos rrugëtimin deri në këtë fazë të sezonit. E megjithatë, shpresat për elitën nuk janë shuar për secilën. Ajo që fiton nesër, do ta ketë të sigurt ndeshjen shtesë.

ag-770x470

CANAJ

Agim Canajt i ka lënë ende shije të hidhur humbja me Dinamon, ndonëse mundohet që ta arkivojë. Ai nuk ka në plan që të dorëzohet për misionin “Superiore” dhe beson se ngjitja do të arrihet edhe me anë të takimeve shtojcë. “Edhe pse luajtëm mirë përballë Dinamos, nuk arritëm të merrnim një rezultat pozitiv. Ky është futbolli. Nuk dua të merrem më me gjykimin, le t’ia lëmë atë së shkuarës dhe të mendojmë tani për javën e parafundit të këtij kampionati. Të dyja ekipet, ne dhe Burreli, po luftojmë për të kapur ndeshjen shtesë.

Ky takim do të vendosë gjithçka, qoftë për ne dhe për kundërshtarin. Nga e hëna po stërvitemi sistematikisht dhe e them me bindje se jemi gati. Ekipi gëzon një formë të mirë fizike, por edhe teknike. Do të kem grupin të plotë në dispozicion, me përjashtim të kapitenit Mziu që mori të kuq. Matjanët i vlerësojmë në maksimum, por do të futemi në fushë vetëm për një rezultat pozitiv. Vetëm fitorja na dërgon në vendin e dytë. Gjithsesi, le t’ia lëmë fushës të flasë. Në futboll pranohen të tria rezultatet, le të fitojë më i miri. Sot do të zhvillojmë seancën e fundit stërvitore në Tiranë dhe më pas do të udhëtojmë drejt Peshkopisë, ku mendojmë të kryejmë edhe një tjetër seancë stërvitore në fushën e stadiumit ‘Korabi’”, tha Canaj.

FATMIR ZHUZHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"