Luajmë në kundërsulm, ideohet rreshtimi anti-Izrael

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 13:34

Luajmë në kundërsulm, ideohet rreshtimi anti-Izrael

Ekipi ynë Kombëtar i futbollit vijon për gatitjet me intensitet të lartë për dy ndeshjet e radhës, me Izraelin në datë 7 dhe tri ditë më vonë me Skocinë, të vlefshme për turneun e Ligës së Kombeve.

6W3A1958

Pasi është njohur me gjendjen fizike të lojtarëve që ka grumbulluar për këto dy ndeshje, trajneri i Kombëtares ka nisur edhe projektimin e skuadrës, me të cilën do të zbresë në fushë nga minuta e parë të premten mbrëma në “Elbasan Arena” kundër Izraelit. Ndonëse është shumë herët, pasi janë konsumuar vetëm tri seanca përgatitore dhe janë edhe katër të tjera për t’u ezauruar deri ditën e ndeshjes, italiani ka nisur testimin brenda llojit me qëllim që të jetë i saktë në përzgjedhjen e 11 titullarëve. Në seancën e djeshme (pasdite), Panuçi provoi disa variante dhe njëkohësisht edhe lojtarë të ndryshëm.

FORMACIONI – Ka ende kohë për të vendosur rreth lojtarëve që do të zbresin në fushë nga minuta e parë, sikurse edhe për variantin me të cilin kërkon të mposhtë izraelitët. Pritet një Shqipëri me rreshtimin 4-3-3. Panuçi, pasditen e djeshme, nisi seleksionimin e titullarëve, ndërsa gradualisht dhe ditë pas dite do të projektojë ekipin e parë. Ndërsa, porta pritet të jetë blinduar nga Strakosha, i cili me paraqitjet e tij te Lacio ka bërë një performancë të mirë.

form

Shqetësim për italianin është krahu i majtë i mbrojtjes ku në balotazh janë Ansi Agolli dhe Egzon Binaku. Dje ata e veshën të dy jelekun e titullarit, ndërsa rreshtoheshin përkrah Mavrajt, Gjimshitit dhe Hysajt. Sa i përket mesfushës, përparësi ka treshja: Xhaka-Basha-Lilaj, por nuk përjashtohet ndonjë ndryshim gjatë seancave të ardhshme, të cilat do të jenë edhe më vendimtare sa i përket seleksionimit të 11 titullarëve. Ndërsa reparti ofensiv?! Në mungesë të Sadikut dhe Cikalleshit, si dhe me Balajn që në skuadrën e tij qëndron sa në fushë ashtu edhe jashtë saj, Guri ka mundësinë e konfirmimit dhe të luajë në majën e sulmit, i mbështetur nga Hyka dhe Grezda.

PËRGATITJET – Ekipi ynë Kombëtar po zhvillon nga dy seanca stërvitore në ditë: paradite dhe pasdite. Gjatë seancës së paradites, përgatitjet kishin natyrë aerobike dhe vrapime të lehta. Ndërsa, ajo e pasdites disi më e ngarkuar, me ushtrime dhe skema të ndryshme të aplikuara në fushën e blertë të ambienteve stërvitore ku ushtrohen kuqezinjtë.

kombetarja

Panuçi aplikoi me grupin edhe disa ushtrime taktike, si dhe veprime nga goditjet standarde. Më tepër rëndësi italiani u vuri situatave të lojës së ndaluar dhe kundërsulmit. Ai bëri apel që të jenë të kujdesshëm gjatë gjithë kohës në sfidën me Izraelin, si në aspektin sulmues, ashtu edhe në atë mbrojtës. Edhe sot, kuqezinjtë do të zhvillojnë dy seanca stërvitore: paradite dhe pasdite, të cilat do të jenë me dyer të mbyllura.

Nga Durrësi LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"