Loret Sadiku, letër FIFA-s: Dua të luaj me dy Kombëtare…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2014 | 11:34

Loret Sadiku, letër FIFA-s: Dua të luaj me dy Kombëtare…

Sadiku-Loret-duke-folur-per-Panorama-Sport3Derisa shumë lojtarë e kanë të vështirë të vendosin për t’i thënë “po” njërës prej dy përfaqësueseve shqiptare, Loret Sadiku i do që të dyja. Mbrojtësi prishtinas po kërkon të luajë edhe në miqësoret e Përfaqësues së Kosovës, edhe në ndeshjet zyrtare të Kombëtares së Shqipërisë. Ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi FIFA nuk ia lejon këtë. Por, duke dashur ta bëjë këtë gjë, Sadiku i ka dërguar një kërkesë FIFA-s, duke treguar për situatën e tij dhe dëshirën që të luajë në miqësoret e Kosovës dhe ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë. Këtë e konfirmoi për gazetën “Arena” një burim i afërt me futbollistin, duke shtuar se kërkesa drejt FIFA-s është nisur javën e kaluar. Deri tani Sadiku është grumbulluar nga një herë për secilën përfaqësuese. Ai luajti në ndeshjen historike miqësore të Kosovës kundër Haitit, ndërsa u ftua edhe një herë nga trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, në takimin ndaj Zvicrës në Tiranë. Ndërkohë, Sadiku është në pritje të përgjigjes, për shkak të së cilës ende nuk ka vendosur përfundimisht se për cilën përfaqësuese do të luajë në të ardhmen. Përpos Kosovës dhe Shqipërisë, Loret Sadiku e ka shijuar edhe të qenit pjesë e Përfaqësueses së Suedisë. Ai ka zhvilluar tri ndeshje me Shpresat e këtij vendi, duke pasur ende mundësi të luajë edhe për Kombëtaren e Madhe të Suedisë, por mbrojtësi dëshiron të përfaqësojë kombin e tij. Ndërkohë trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, ka pohuar ditë më parë se, nëse Sadiku do të lejohet nga klubi, ai do të jetë i Kosovës për miqësoret me Turqinë e Senegalin. Kujtojmë që FSHF-ja e pajisi lojtarin me nënshtetësi dhe pasaportë shqiptare vitin e shkuar, por deri tani Sadiku nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me kuqezinjtë. Madje, grumbullimi me Kosovën, ndaj Haitit shtoi edhe më shumë largësinë mes tij dhe Kombëtares shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"