Lorenco Vila po bën liderin te Teuta: Të vazhdojmë kështu edhe ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 16:55

Lorenco Vila po bën liderin te Teuta: Të vazhdojmë kështu edhe ndaj Partizanit

Teuta nuk shkoi më shumë se barazimi në ndeshjen e javës së 17-të kundër Egnatias. Me 18 pikë në vendin e tetë, durrsakët janë në një zonë të ftohtë dhe do të kërkojnë të largohen sa më shpejt nga vendet e fundit. Rikthimi në formën më të mirë i sulmuesit Lorenco Vila është një ogur i mirë për skuadrën dhe ka qenë vetë trajneri Edi Martini, i cili pas ndeshjes me rrogozhinasit, bëri elozhe për sulmuesin.

vila

Ky i fundit, dje në një intervistë për “Panorama Sport”, foli për momentin e mirë që po kalon, por edhe ndeshjen e radhës që Teuta do ta luajë të enjten në transfertë me Partizanin. Aktualisht Lorenco Vila rezulton golashënuesi më i mirë i skuadrës me 3 gola.

Lorenco, ju kënaq barazimi me Egnatian apo prisnit më shumë?
Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Egnatia është një nga skuadrat më të forta të Superiores. Rezultati duhej të shkonte në favorin tonë dhe gjykoj se meritonim më shumë se 1 pikë, pavarësisht se ata shënuan të parët.

Mund të kishit guxuar më tepër në aspektin sulmues?
Nuk mendoj se ishte një ndeshje e mërzitshme. Ne as nuk u zvarritëm në fushë dhe as nuk ndenjëm në mbrojtje. Loja ishte e hapur dhe ashtu siç mund të fitonim, edhe mund të humbnim. Deri në fund kërkuam fitoren.

Mendoni se tashmë skuadra e ka marrë plotësisht veten pas asaj krize rezultatesh?
Skuadra ka qenë e rënduar psikologjikisht. Tanimë besoj se po rritemi dita-ditës, por janë edhe shumë ndeshje. Them se takimet e fundit kanë qenë pika e konfirmimit për ekipit. Jam i bindur se edhe në ndeshjet e tjera do të bëjmë akoma më mirë. Kjo ndaj Egnatias ishte një pikë vazhdimësie dhe tashmë duhet të shikojmë përpara.

vila

Është ky momenti për t’iu larguar fundit?
Është një moment shumë i rëndësishëm në këtë pikë të sezonit, ku më tepër se kurrë na duhen pikët se loja e mirë. Besoj se qëllimi kryesor për ne është marrja e pikëve maksimale në çdo ndeshje në vijim.

Jeni duke bërë mirë dhe për këtë u komplimentuat edhe nga trajneri Martini. Jeni gati për të bërë liderin e Teutës në sulm?
Unë gjithnjë e kam thënë se kam dëshirë që vijojë të bëjë mirë për ekipin e Teutës. Kam lënë pas gjithçka nga e kaluara dhe në këtë vit të ri jam në formë. Shpresoj shumë të vijoj kështu, si për vete, por edhe për ekipin.

Të enjten luani ndaj Partizanit në transfertë, çfarë ndeshjeje prisni?
Na pret një ndeshje shumë e vështirë, kjo edhe për shkak të cilësisë që ka Partizani si skuadër. Është kundërshtar i fortë dhe këtë e ka treguar në fushë, kështu që kërkon vlerësim maksimal. Ne do të bëjmë gjithçka për të mos dalë pa pikë nga ky takim.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"