Lorenco Vila nuk fshihet: E kemi detyrim të marrim 6 pikë në dy ndeshjet e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2022 | 23:17

Lorenco Vila nuk fshihet: E kemi detyrim të marrim 6 pikë në dy ndeshjet e radhës

Sulmuesi i Teutës, Lorenco Vila, beson se skuadra durrsake do ta nisë me fitore vitin 2022. Në një intervistë për “Panorama Sport”, titullari i kampionëve bëri një prognozë për atë që e pret Teutën në këtë pjesë të dytë të kampionatit. Vila është i bindur se ekipi do të reagojë në mënyrën më të mirë, duke lënë pas gabimet e bëra në pjesën e parë të kampionatit. Ai e shikon shumë të rëndësishme sfidën e radhës me Kastriotin, ku sipas tij, duhen vetëm tri pikë.

LORENCO VILA 1

Lorenco, si kanë shkuar ditët e përgatitjeve në prag të rinisjes së kampionatit?
Mendoj se çdo gjë ka shkuar mirë dhe ky është fryt i impenjimit maksimal në fazën përgatitore. Për ne ka rëndësi të jemi mirë fizikisht, pra kondicioni i duhur është pjesa kryesore para startit.

Do të luani ndaj një kundërshtari që ju ka hapur jo pak punë…?
Është ndeshja e parë dhe duhet të na gjejë të përqendruar. Ne gjithmonë duhet ta ngremë “stekën”, për të dhënë shenja të stabilitetit. Na duhen patjetër tri pikë.

Sa e rëndësishme është kjo ndeshje pas rezultateve jo të mira në 15 javët e para?
Do të luajmë ndaj Kastriotit dhe më pas ndaj Laçit, dy ndeshje shumë të forta, për të cilat është e tepërt të flasësh. Unë mendoj që Teuta i ka lënë pas gabimet dhe po rritet. Jemi skuadër kompetitive dhe çdo rezultat tjetër veç fitores na largon shumë për objektivat që kemi. Sigurisht është e detyrueshme të marrim dy fitore radhazi në ndeshjet e ardhshme. Kemi përpara ndeshje shumë të rëndësishme për të shpresuar deri në fund se do të afrohemi sa më shpejt me kreun.

Ju thatë se duhen 6 pikë, sa i bindur jeni?
Së pari, me Kastriotin duhet medoemos të fitojmë, edhe pse është një ekip i vështirë në fushën e ti, por nuk kemi alternativë tjetër. Nuk më pëlqen të bëj llogari të tilla para ndeshjeve. Dua që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Tani kemi Kastriotin, një sfidë shumë të fortë dhe më pas Laçin. Thjesht unë mendoj që ideale do të ishin 6 pikë në këto dy ndeshje të para për vitin 2022.

I ka mundësitë Teuta të luftojë këtë sezon për titullin me një diferencë kaq të madhe nga Tirana?
Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe jo të mendojmë këto gjëra. Duhet të bëjmë maksimumin ndeshje pas ndeshjeje, pasi kampionati është shumë i gjatë. Ka shumë konkurrencë dhe ekipe të forta, por nëse ti ke besim te vetja që do të marrësh më të mirën, çdo gjë është e mundur. Nuk jemi nga ato ekipe që nxitohemi të japim deklarata. Rëndësi ka që Teuta ta nisë me fitore dhe të shikojë vetëm ndeshjen e radhës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"