Lorenco Vila i bindur: Humbjet çështje fati, në Korçë për kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 10:37

Lorenco Vila i bindur: Humbjet çështje fati, në Korçë për kthesën

Sulmuesi i Teutës, Lorenco Vila, është i bindur se durrsakët do të reagojnë në Kupë, pavarësisht periudhës jo të mirë që po kalojnë kohët e fundit, teksa regjistrojnë 4 humbje radhazi. Vila mendon se ekipi do rikthehet për të shfaqur potencialin e plotë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 23- vjeçari thekson se te shokët ka parë dëshirën e duhur për të kaluar me sukses Skënderbeun. Bregdetarët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, teksa Vila thotë se korçarët janë ekip i mirë, pavarësisht pikëve. E megjithatë, kjo nuk e pengon sulmuesin që të besojë dhe tentojë në marrjen e një rezultati të mirë që në ndeshjen e parë.

LORENCO VILA

Vila, duket sikur humbjet po ju bëhen makth. Çfarë nuk po shkon?

Sigurisht që krijohet një situatë, ku kemi marrë vetëm humbje. Pavarësisht se po zhvillojmë ndeshje të mira, nuk po arrijmë të dalim te rezultatet pozitive. Është çështje fati dhe nuk mund të them që s’kemi dhënë maksimumin.

A po kalon ekipi një ngërç psikologjik?

Deri diku mund të them se është një ngërç psikologjik dhe që do zgjasë derisa të arrijmë trepikëshat që na mungojnë. Kam besim se tani do arrijmë të marrim fitore. Situata është më pozitive tani e në vazhdim. Megjithatë, të shohim vazhdimësinë dhe të japim maksimumin dhe të hedhim hapin e parë drejt kualifikimit, më shumë sesa loja.

A mund të jetë fitorja në Korçë një barometër për Teutën apo do ta tregoni veten edhe ndaj ekipeve më të forta?

Çdo fitore, me cilindo kundërshtar, është maksimumi, sepse unë mendoj që në kampionatin shqiptar është vërtetuar që s’ka ekipe të dobëta apo ekipe të forta. Çdo ekip ka mundësinë të marrë pikë ndaj cilitdo kundërshtar.

Si e shikoni ndeshjen e Kupës?

Mendoj që Skënderbeu, pavarësisht se ka ekip me djem të rinj, luan mjaft mirë futboll dhe të hap probleme. Kështu që, një fitore në Kupë ndaj Skënderbeut, por edhe ndaj çdo kundërshtari tjetër, është e njëjtë. Pak rëndësi ka se kundër cilit ekip luan, mendoj se ajo që vlen është fitorja. Çdo skuadër është për t’u vlerësuar.

Është edhe Kupa në objektivat e Teutës?

Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse çdo ekip, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë për ta fituar këtë trofe. Do të ndeshemi me ekipe të mira, të cilat i respektojmë maksimalisht, por frikë nuk kemi nga asnjë skuadër. Do të përballemi denjësisht me këdo.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"