Lorenco Vila: Erzeni i fortë, por përsërisim ndeshjen me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2023 | 10:25

Lorenco Vila: Erzeni i fortë, por përsërisim ndeshjen me Kastriotin

Lorenco Vila shkëlqeu për Teutën në fitoren e fundit ndaj Kastriotit në kampionat, teksa tani detyra e thërret për të sfiduar Erzenin në Kupën e Shqipërisë. Në prag të këtij dueli, Vila është shprehur në një intervistë për “Panorama Sport”.

vila

Si duket skuadra përpara derbit me Erzenin, duke qenë se edhe koha e rikuperimit ka qenë e shkurtër?

Unë mendoj se kjo nuk do të ndikojë. Jemi duke u përgatitur mirë për të luajtur të gjitha ndeshjet deri në fund dhe pa probleme, pasi i kemi kushtet për të mbajtur veten në tonus. Shpresoj shumë që dhe nesër (sot) ta nisim aty ku e lamë më Kastriotin.

Ishte Erzeni kundërshtari që donit në këtë raund të Kupës?

T’ju them të drejtën të gjithë skuadrat që mund të kishim përballë ishin të vështira, nuk kisha ndonjë preferencë, por çdo skuadër që është në këtë raund, është me meritë. Gjithsesi, e di që Erzeni është një skuadër e fortë për këtë sezon, por ne shpresojmë për më të mirën.

Koha për ta përgatitur ndeshjen ka qenë e pakët, mendoni se ekipi do të jetë gati për sot?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës, për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar të fortë. Kupa ka një specifikë ndryshe nga kampionati, por ne jemi të përgatitur, duke parë angazhimin them se do jetë një ndeshje shumë e fortë.

Vini pas golit dhe një asisti ndeshjen e fundit… Sa do të ndikojë?

Jam në gjendje të mirë dhe i gatshëm për të ndihmuar skuadrën duke dhënë maksimumin. Është përgjegjësi e madhe për ne. Organika e Teutës është më e plotë. Kemi më shumë cilësi. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një.

A është Kupa një trofe që ju tërheq?

Nuk mund të them të kundërtën, pasi jemi të fokusuar te Kupa dhe do të luftojmë për ta fituar. E rëndësishme është të kalojmë njëherë Erzenin dhe me pas do të mendojmë për më tej.

Cili është objektivi kryesor i Teutës këtë sezon?

Nuk do të më vinte mirë nëse kampionati do të mbyllej kështu. Jemi në këtë pozitë për shkak të gabimeve tona. Mendoj se duhet të ishim më lart, por mendoj se në fund do t’ia arrijmë aty ku e meriton Teuta. Për momentin mendoj vetëm për ndeshjen e radhës dhe asgjë më tepër.

9

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"