Lorenc Trashi: Unë në kombëtare? E kush nuk do të dëshironte….

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2017 | 10:39

Lorenc Trashi: Unë në kombëtare? E kush nuk do të dëshironte….

Nga Flamurtari te… Flamurtari. Lorenc Trashi shënon golin e dytë këtë kampionat, të dy ndaj vlonjatëve, ndërkohë që nga pika e bardhë e penalltisë i dha tri pikët skuadrës së Partizanit.

trashi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari u shpreh se skuadra nuk është mësuar të luajë në orën dy, ndërsa shpreson një ftesë nga Kombëtarja, edhe pse deri më tani nuk ka marrë asnjë sinjal konkret. Në lidhje me kampionatin, ai pohoi se deri në fund do të jenë tri skuadra në garë, por fillimisht Partizani duhet të tregojë kujdes nga ndeshja e radhës me Korabin.

Goli juaj nga pika e bardhë i dha tri pikët Partizanit, si ndiheni?

Të them të drejtën, jam i lumtur për shënimin e golit, duke parë që kisha një kohë të gjatë pa shënuar. Më duket si një ogur i mirë goli ndaj Flamurtarit, duke qenë se edhe të kaluarin e shënova ndaj kësaj skuadre. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm.

Pas golit të dytë u duk sikur ra loja e Partizanit dhe u vutë në vështirësi…

Jo, pavarësisht kësaj që thoni ju se ra loja, mund të them se ia lë të gjithën këtë orarit të ndeshjes, që u luajt në orën 2. Kjo, sepse ne nuk kemi luajtur ndonjëherë në këtë orar, por në orën 5. Ndaj, na u duk disi e vështirë edhe kjo dhe nuk u përshtatëm.

Nga Kombëtarja keni marrë ndonjë sinjal, duke qenë se përflitet shumë?

Kam dëgjuar nëpër gazeta dhe portalet që flasin, por vetë personalisht nuk kam asnjë sinjal. Por, kush nuk e do një ftesë Kombëtareje, është një ëndërr e çdo lojtari.

Besoni që mund të vijë së shpejti një ftesë?

Shpresoj dhe ishalla është e vërtetë.

Ndeshja e radhës në kampionat është me Korabin, si e shihni?

Do të jetë një ndeshje e vështirë mendoj, duke parë që Korabi luan thjesht për prestigj, ndaj do të jetë e vështirë. Ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht.

Si i shihni tri skuadrat për titull dhe kush mund të gabojë rrugës?

Nuk e di se kush do të gabojë. Duke parë edhe ecurinë e Skënderbeut dhe të Kukësit, mendoj se së bashku me Partizanin, të tria skuadrat do të luftojnë deri në fund për titullin kampion. Pavarësisht ndalesave që dalin rrugës, besoj që deri në fund do të jenë të tri skuadrat në garë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"