Lopetegui: Sfida e jetës, të fitoj pa Ronaldon. Largimi i tij…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2018 | 18:41

Lopetegui: Sfida e jetës, të fitoj pa Ronaldon. Largimi i tij…

Hulen Lopetegui e respekton Kristiano Ronaldon, por jep një mesazh të qartë. Për trajnerin e Realit të Madridit ai është e shkuara dhe e ardhmja pritet të jetë e suksesshme edhe pa portugezin në skuadër. Sepse Lopetegui mendon se tani fryma e grupit do të jetë më e madhe dhe lojtarë si Bejl kanë mundësi për të treguar vlerat e tyre. Por, tekniku i ri i madrilenëve e konsideron edhe një sfidë për veten drejtimin e skuadrës pa një lojtar si Kristiano. Gjithsesi, ai shpreson që kjo epokë të jetë fituese. Në konferencën për shtyp të zhvilluar në Amerikë, numri një i “Galaktikëve” i thuri elozhe Bejlit dhe tha se ky do të jetë sezoni i tij.

lopetegui

Cili është komenti juaj në lidhje me gjendjen e skuadrës pas këtyre stërvitjeve të para?

Në këtë periudhë po bëjmë nga dy seanca stërvitore dhe jemi shumë të fokusuar te puna dhe dëshira e lojtarëve për të bërë mirë. Kemi shumë të rinj, të cilët duan të lënë gjurmë. E mira është që nuk kemi dëmtime. Jemi aty ku duhet.

Ju erdhët, por u largua Ronaldo. A mund të jetë Bejl lideri i ri i skuadrës?

Kristiano është një nga lojtarët më të rëndësishëm të historisë së klubit. Ai shprehu dëshirën për t’u larguar dhe skuadra ia lehtësoi gjërat duke marrë parasysh atë që ai ka bërë për skuadrën. Për sa i përket Bejlit, jam i bindur që ai do të bëjë shumë gjëra këtë vit, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm. Po punojmë me të. Ju e dinit më përpara që do të largohej Ronaldo? Keni nevojë për një sulmues tani? Kur unë firmosa, ai vazhdonte të ishte ende pjesë e jona. Por, tregoi dëshirën për t’u larguar. Për mua është një sfidë e madhe që ta ndërtoj këtë skuadër për Ronaldon, ta bëj kompetitive dhe të luftojmë për tituj. Nuk kam asnjë dyshim për lojtarët që kam në skuadër. Kjo është sfida e jetës.

A ka kjo skuadër nevojë për afrime në merkato?

Nuk na kanë ardhur në skuadër 6 lojtarë, të cilët i konsideroj si afrime: Ramos, Varan, Modriç, Kovaçiç, etj. Jam i kënaqur me skuadrën që kam dhe i bindur që do të luftojmë në të gjitha objektivat. Nëse nuk vjen askush dhe nëse nuk largohet askush, unë do të jem i lumtur.

Çfarë mendoni të bëni që skuadra të mos e humbasë dëshirën për të fituar?

Historia e Madridit e thotë vetë se ne nuk lodhemi duke fituar. Të gjithë duhet të kërkojnë të bëjnë më shumë dhe të fitojmë gjithmonë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë. Historia e Realit nuk na lejon gjë tjetër.

Mendoni se me Bejlin dhe Benzemanë në sulm jeni të plotësuar?

Ata kanë punuar në një formë të shkëlqyer gjatë kësaj kohe dhe jam i kënaqur. Ata të dy dhe të gjithë të tjerët. Të gjithë kemi mundësinë e artë që të bëjmë gjëra të mira dhe të tregojmë vlerat tona në sezonin e ardhshëm edhe pa një lojtar të madh dhe të forcojmë më shumë atë që quhet grup dhe skuadër. Por, nuk duhet ta mohojmë që kemi lojtarë të jashtëzakonshëm edhe në aspektin individual. Me këto karakteristika do të punojmë për të formuar një skuadër super.

Keni folur me portierin Kejlor Navas?

Po, kam folur me të dhe jemi të lumtur që e kemi në skuadër. Nuk kam asgjë tjetër për të komentuar në lidhje me këtë çështje. Kejlor është i rëndësishëm dhe do të vazhdojë të jetë. Duam ta shijojmë atë që Kejlor ka bërë dhe i ka dhënë Madridit.

Nëse Reali do të afronte vetëm një lojtar, cili do të ishte roli që të pëlqente?

Nuk mund të flas për hipoteza. Realiteti është që unë po punoj me këtë skuadër që kam në dispozicion dhe për gjërat që mund të ndodhin nuk flas.

Ju folët me Ronaldon për ta bindur që të qëndronte? Do të kishit firmosur nëse e dinit që do të largohej?

Për të dytën, sigurisht që po. Respekt për Ronaldon, por Reali është mbi të gjithë dhe mbi gjithçka.

Bejl, pas finales së Kievit, tha se kërkonte garanci për të luajtur. Çfarë ju ka thënë që të jetë i lumtur?

Është i lumtur. Është shumë i lumtur që luan në një skuadër si Reali. Këtë e keni të sigurt. Ai nuk ka ndërmend të largohet dhe ka një mundësi të artë për të treguar vlerat që ka. Kam folur me të, ashtu si me të gjithë të tjerët. Do të nisim një rrugëtim që shpresoj të jetë i bukur.

Si e keni parë Viniciusin gjatë kësaj kohe. Keni një plan për të?

Është një lojtar shumë i mirë dhe ka dëshirë që të tregojë vlerat në një ekip të madh si Reali. Në këtë kohë ka punuar shumë dhe më pëlqen. Ai do të jetë pjesë e skuadrës tonë për sezonin e ardhshëm dhe unë do t’ia jap mundësinë gjithmonë për të luajtur dhe për të pasur minuta. Për momentin dua të them që më ka befasuar në stërvitje me teknikën e jashtëzakonshme. Por ai duhet të punojë shumë për t’u bërë një lojtar i madh.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"