“Lojtari më i fortë që kam luajtur është …”, rrëfehet Kaka: Ju tregoj momentin më të mirë dhe më të keq te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2020 | 11:12

“Lojtari më i fortë që kam luajtur është …”, rrëfehet Kaka: Ju tregoj momentin më të mirë dhe më të keq te Milani

“Coronavirus” ka ndryshuar jetën e të gjithëve. Që nga përditshmëria e deri të mënyrat e punës, çdo aspekt, ka një formë tjetër tashmë. Nuk bëjnë përjashtim futbollistët, apo edhe intervistat, të cilat tashmë zhvillohen vetëm nëpërmjet teknologjisë.

kakak

Kështu, FIFA, ka hapur profilin e saj zyrtar në “Instagram” me të ftuarin e radhës i cili ka qenë Rikardo Kaka. Braziliani i është përgjigjur disa pyetjeve të ndjekësve, duke rrëfyer se te Milani ka përjetuar momentin më të bukur e më të keq të karrierës.

Cili është lojtari më i fortë me të cilin ke luajtur?

Kam pasur fatin të kem pranë shumë fenomenë, por për mua Ronaldo mbetet më i forti. Pas tij vjen një tjetër brazilian si Ronaldinjo të cilin e kam përballur shumë herë kur luaja për Milanin e më pas për Realin e Madridit.

Si e shpjegoni përmirësimin tuaj?

Nuk kam qenë kurrë një futbollist i shpejtë, por kisha cilësi në shpërthime. Synoja shumë në këtë karakteristikë gjatë lojës time. Me kohën dita të përmirësoj tej mase edhe goditjet. Parapëlqeja të godisja me saktësi se sa më forcë. Ka qenë prirje e imja që në moshë të re.

Kaka

Cili ka qenë goli juaj më i bukur?

Siç thashë, kisha shpërthime të mira e jo më kot prej saj ka lindur edhe goli im më i bukur në karrierë që është ai kundër Mançester Junajtidit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të vitit 2007.

Po çasti më i bukur në karrierë?

Është e pamundur të zgjedh vetëm një e në fakt nuk dua të veçoj asnjë, por shumica kanë qenë me fanellën e Milanit në trup. Championsi i vitit 2007, Botërori për klube, Topi i Artë dhe çmimi FIFA si “Lojtari më i mirë” janë disa nga momentet më të bukura në karrierë, por sigurisht që ka edhe të tjera.

Po kujtimi më i keq që keni?

Stamboll 2005, e nuk po shtoj asgjë tjetër…

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"