“Lojtari i tyre i tha arbitrit se do t’i nxirrte zorrët e barkut”, trajneri i Kategorisë së Dytë tregon si u kërcënua gjyqtari gjatë ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 9:02

“Lojtari i tyre i tha arbitrit se do t’i nxirrte zorrët e barkut”, trajneri i Kategorisë së Dytë tregon si u kërcënua gjyqtari gjatë ndeshjes

Internacionali fitoi 6-2 me Klosin, e megjithatë kjo ndeshje ka prodhuar shumë polemika. Miqtë kontestuan ashpër, madje paralajmëruan se do të ankoheshin në FSHF. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i trajnerit Agim Bedini, i cili për “Panorama Sport” thotë: 

topalli trajner

“Ne jemi akademi dhe në ekip kemi lojtarë të datëlindjeve 2000-’01, ndërsa Klosi në fushë kishte edhe 35-vjeçarë. Këtë e them për të shpjeguar, që djemve tanë nuk u lejohet të përdorin asnjë fjalë fyese në fushë dhe aq më shumë kundër gjyqtarëve. Ishin futbollistët e Klosit ata që kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj gjyqtarëve. Për çdo vendim, i kërcënonin me jetë. Madje, numri 8 i tyre u dëgjua teksa i bërtiste arbitrit, duke i thënë se do t’i nxirrte zorrët e barkut. Megjithatë, gjyqtari e toleroi dy-tri herë atë futbollist”.

“Duhet të ishim ne ata që duhej të ndërprisnim ndeshjen e të largoheshim nga fusha. Për çfarë pretendimesh flasin klosianët, kur lojtari i tyre ishte 2-3 metra pozicion jashtë loje. Skuadra jonë shënoi 6 gola, por duhej të kishte shënuar 8. Ku i ka lojtarët e pafederuar skuadra jonë, kur ata vijnë nga grupet zinxhir. Është e çuditshme deklarata e shefit të klubit të Klosit. Arbitrimi ka qenë më se korrekt dhe i paanshëm. Mos u kapni me problemet anësore, kur nuk dini të luani futboll. Leksionin ua dhanë këta fëmijë, ndaj le të nxjerrin mësim”, përfundoi trajneri i Internacionalit, që militon në Kategorinë e Dytë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"