Lojtari i Kukësit refuzon të kthehet, largimi nga verilindorët më afër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 11:09

Lojtari i Kukësit refuzon të kthehet, largimi nga verilindorët më afër

Të gjithë futbollistët e Kukësit e përjetuan keq tërmetin e së martës të datës 26 nëntor, por një prej atyre që e përjetuan shumë keq ishte mbrojtësi i Kukësit, Tome Kitanovski. Mbrojtësi i majtë maqedonas nuk është kthyer akoma në Tiranë për t’iu bashkuar ekipit e natyrisht që ka humbur edhe ndeshjen kundër bardhebluve. 

Kitanovski2

Drejtuesit e klubit kanë kontaktuar me lojtarin, të cilit i dhanë leje vetëm për 2 ditë, por ai e shkeli atë dhe gazeta mëson se 27-vjeçari u ka thënë drejtueseve të Kukësit se e ka shumë të vështirë për t’u kthyer më në Tiranë. Kështu që mbetet i hapur largimi i tij në janar, madje mund të jetë akoma më i shpejtë, pra që para Vitit të Ri. Në klub e mohojnë një gjë të tillë, por edhe drejtuesit e skuadrës nuk e dinë përgjigjen se kur mbrojtësi i majtë kthehet në Shqipëri.

kitanovski

Kitanovski ishte një afrim cilësor i Kukësit në merkaton e verës, madje mund të themi i vuajtur, pasi mbrojtësi kishte disa oferta serioze, por ishte drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, ai që e bindi lojtarin. Kitanovski ka një karrierë të pasur, pasi numëron plot 8 ekipe në karrierën e tij, ku ka provuar kampionatin serb, kroat, azerbajxhanas, maqedonas e shqiptar. Me Kukësin, ai është aktivizuar në të 13 javët, njëmbëdhjetë si titullar e dy si zëvendësues. Tashmë për takimin e radhës ndaj Tiranës, Kukësi në krahun e majtë të mbrojtjes ka në dispozicion vetëm Blerim Kotobellin.

kukesii

RROGAT, PARA TIRANËS 

Ekipi i Kukësit lajmëroi se do të kontribuonte me një pjesë të rrogave për banorët e prekur nga tërmeti në Durrës e zonat përreth. Akoma kjo nismë solidariteti nuk është vënë në jetë, për shkak se ende nuk kanë kaluar rrogat për ekipin kuksian. Përveç pjesës së solidaritetit, lojtarët kanë kërkuar pagat, pasi normalisht që paratë janë diçka jetike. Pritet që brenda kësaj jave, para ndeshjes me Tiranën, ekipit t’u shpërndahen rrogat.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"