Lojtari i Bylisit konfirmon qëndrimin në Ballsh: Jam këtu dhe sezonin tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2020 | 22:14

Lojtari i Bylisit konfirmon qëndrimin në Ballsh: Jam këtu dhe sezonin tjetër

Andi Hadroji mbylli sezonin e tij të dytë në Ballsh, duke luajtur në disa pozicione, pikërisht si mbrojtës dhe mesfushor i djathtë, por edhe në linjën e majtë. Hadroji është një nga elementët me perspektivë nën kontratë me Bylisin dhe në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur për aventurën në Superiore dhe pritshmëritë që ka për sezonin e ri.
andi hadroj
“Për mua ka qenë eksperienca e dytë në Superiore pas asaj në Laç, por në Ballsh kam luajtur titullar. Klubi, sidomos në pjesën e dytë të sezonit, u dha hapësira shumë lojtarëve të rinj. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, sepse krijuam ekip simpatik dhe bëmë futboll me ritëm, duke luajtur denjësisht edhe ndaj skuadrave më të mira. Edhe në sezonin e ardhshëm do të jem ne Ballsh dhe unë kam besim se do të vazhdojmë të luajmë bukur. Jemi një ekip kompakt dhe normalisht që synimet do të jenë në rritje, si për mua, ashtu edhe për klubin”, tha fillimisht 21-vjeçari.
Bylis
Në linjën e djathtë në Ballsh këtë sezon kanë luajtur Hadroji, Ymeralilaj dhe nigeriani Ntepe. Të tre lojtarët treguan nivel të kënaqshëm, ndërsa do të jenë pjesë e Bylisit edhe në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, në Ballsh do të nisë riorganizimi i ekipeve të moshave. Në sezonin e fundit Bylisi mori pjesë në garat zyrtare me tri ekipe: U-15 në Kategorinë Superiore, si dhe U-17 e U-19 në Kategorinë e Parë. Skuadrat përdorin për stërvitje krahas fushës me tapet artificial në qendër të qytetit, edhe aneksin e stadiumit “Adush Muça”, që është me bar natyral.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"