“Lojtarëve i kam shpjeguar kartonët”, zbërthehet Ahmataj: E mundim Vllazninë, grupit të Tiranës do i rregulloja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 14:45

“Lojtarëve i kam shpjeguar kartonët”, zbërthehet Ahmataj: E mundim Vllazninë, grupit të Tiranës do i rregulloja…

Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp për mediat, para ndeshjes së nesërme me Vllazninë në kryeqytet.

julian ahmataj

Ahmataj nuk ngurroi të komentojë ndeshjen e fundit me Teutën, dhe atë që i ka analizuar lojtarëve, që duhej të bënin më mirë. Ai u shpreh se kërkon të rregullojë çështjen e marrjes së kartonëve, duke i analizuar lojtarëve situatat një nga një në fushën e lojës.

Tekniku i bardhebluve u shpreh se ekipi i tij e di mjaft mirë sa e fortë është Vllaznia në transfertë, por objektiv tjetër ditën e nesërme, ka vetëm fitoren, atë që ai kërkon në çdo takim, për të arritur në fund objektivin madhor, titullin kampion.

Sfida ndaj Vllaznisë…

Është një ndeshje klasike e futbollit shqiptar. Jemi koshient për këtë gjë, skuadra e di për vështirësinë që ka. Vllaznia në ndeshjet jashtë është e fortë, dhe ka marrë rezultate pozitive ndaj çdo kundërshtari. Ne nuk heqim dorë nga loja jonë. E dimë që Tirana do futet vetëm për fitore këtë ndeshje. Kjo nuk bazohet vetëm tek dëshira jonë, por edhe tek ajo që do shprehim në fushën e lojës.

Pa tifozë…

Ndikon shumë tifozeria, sepse është lojtari i 12-të i ekipit, që i jep adrenalinë skuadrës, që i mundësi çdo futbollisti të shfaqë energjitë e mbyllura në vete. Këto përkthehen në rezultate, por ne duhet të jemi të përgatitur, pasi e kemi marrë konfirmimin që do luajmë pa tifozë.

Peshojnë mungesat për nesër?

Tirana ka kontingjent, dhe rolet i ka të dubluara. Ka një miks mes atyre me eksperiencë, dhe të rinjve. Është një ndërthurje e mirë, sepse të rinjtë ndihmohen nga pjesa tjetër e skuadrës. Por, mungesat janë evidente. Mendojmë se kemi rikuperuar Hasanin, i është bashkuar grupit. Muçi do i bashkohet ekipit nesër, në ditën e ndeshjes, sepse ka qenë me Kombëtaren U-19. Tirana ka shumë forca brenda skuadrës.

Dy kartonë të kuq në Durrës dhe gol i pësuar në fund…

Kemi analizuar çdo gjë, dhe para lojtarëve kemi vënë mundësinë se si mund të merren kartonët e verdhë. Janë evidentuar të gjitha kartonët që do merren për arsye sportive. Edhe ato kartonë sportivë, duhet të jenë të minimizuar. I kemi shpjeguar lojtarëve, se kur ke mundësi të mos e marrësh kartonin, nuk duhet ta marrësh. Besoj se kjo gjë do vijë në përmirësim. Çdo gjë nuk vjen brenda ditës, por me kalimin e kohës.

Objektivi për këtë sezon…

Objektivi im është të fitoj çdo ndeshje, dhe të shpallet Tirana kampione. Nuk di që ndonjëherë Tirana ka qenë thjesht prezente në kampionat, për një objektiv më të ulët.

Idetë e Ahmatajt për futbollin…

Është e vërtetë që skuadra është treguar inteligjente. Ka brenda saj lojtarë inteligjentë, që kapin shpejt gjërat. Një trajneri i duhet më shumë kohë, se sa kaq që kam pasur unë. Por, jam i lumtur me atë që kanë treguar. Ndeshja ka pasur rrjedhshmëri, në mënyrën si e kemi punuar në stërvitje. Ka edhe momente që lojtarët e kanë humbur, pasi vijnë nga lodhja, presioni i kundërshtarit. Ne do ngulojmë që të jemi koshientë për atë që bëjmë në stërvitje, ta çojmë edhe në fushën e lojës. Prandaj, jemi munduar ta mbajmë skuadrën më të tkurrur te mediat, pasi kemi për detyrë që të punojmë më shumë, dhe me më pak fjalë.

Pësimi në fund…

Të gjithë ndeshjen me Teutën, e kemi pasur në kontroll. Erdhi rrjedhshmëria lojës, dhe e dominuam një pjesë të madhe. Vështirësinë e ndjemë në pjesën e dytë, ku kundërshtari rriti presionin. Edhe ne humbëm nga fizionomia e lojës sonë. Goli erdhi në fund, është një moment që janë topa të devijuar, dhe janë të rrezikshëm për një skuadër. Vigjilenca duhej të ishte më e madhe. Gjëra që do vijnë duke u përmirësuar. Këto nuk duhet të na bëjnë pesimistë, por optimistë, sepse i dimë problemet dhe do i rregullojmë.

Merkato në janar…

Skuadra është e kompletuar në çdo repart. Sa i përket përforcimeve, të gjitha kanë nevojë. Edhe ekipet më të mëdha në botë. Edhe ekipe që janë të shkëputura në vendin e parë, kanë nevojë për përforcime. Këtë gjë e ka klubi në dorë. Unë jam i kënaqur me organikën që kam. Do punoj me lojtarët të përmirësohemi sa më shumë.

Një aspekt pozitiv, dhe një aspekt negativ te ekipi…

Gjatë stërvitjeve, aspekt pozitiv është se më duhet shumë pak kohë për të shpjeguar një ide timen, ose për të futur një filozofi. Lojtarët janë me eksperiencë dhe inteligjencë. Aspekti që do doja të përmirësoja, është ai i kartonëve, dhe nxitimit të lojtarëve. Duhet një mendje e ftohtë të jemi të qartë për atë që po bëjmë.

Keni pësuar shumë gola me kokë..

Në ndeshjen e fundit me Teutën, patëm kundra nesh, shumë goditje këndi dhe faulle ne 30 metrat e fundit. Në asnjë moment Teuta nuk na ka rrezikuar. Goli na erdhi nga një top i devijuar, që është i paparashikuar, dhe topi merr një trajektore të çuditshme. Duhej ta menaxhonim më mirë atë situatë. Por, kemi rikuperuar pothuajse të gjitha goditjet standarde të Teutës ndaj nesh.

Roli i Kobinës…

Kobina është një mesfushor shumë i mirë, dhe një goditës i mirë i portës. Duhet t’ia vëmë portën në dispozicion, që ta godasë. Duhet t’i gjejmë lojtarit, atë vend që jep më të mirën. Ka bërë mirë në krah, por nuk është një lojtar i shpejtë, është driblues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"