“Lojtarët vijnë të pangrënë, nuk fitohet me barkun bosh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2016 | 22:10

“Lojtarët vijnë të pangrënë, nuk fitohet me barkun bosh”

Gazeta “Panorama Sport” ka botuar këtë të enjte në rubrikën “Blobi i javës” disa nga reagimet më pikante të trajnerëve, lojtarëve dhe tifozëve për çështje të caktuara dhe kampionatin në tërësi.

DinamoNë mënyrë të përmbledhur, batutat dhe reagimet janë përzgjedhur nga protagonistët e futbollit shqiptar.

Xhani De Biazi, trajner i Shqipërisë: “Kur mësuam shortin për kualifikueset e Europianit, të gjithë thanë se do të rivalizojmë me Armeninë për vendin e katërt. Por, shkuam në Francë”.

Andrea Agostineli, trajner i Partizanit: “Në ditët e para në Shqipëri kam gjetur një kohë me shi, por ne italianët themi se kush laget më shumë, atëherë del i fituari në fund”.

Xhevahir Sukaj, sulmues i Partizanit: “Xhanoti është bërë më keq se Jemini, nuk jep penallti, edhe pse Kalarit për pak i thyen këmbën”. (shkodrani nervozohet me përgatitësin atletik, që bënte rolin e gjyqtarit gjatë një ndeshjeje kontrolli të të kuqve).

Lorenc Trashi, mesfushor i Partizanit: “E ka zemrën e bardhë dreqi”. (postim i lojtarit në “Facebook” për një foto me nigerianin Atanda).

Tifozët e Partizanit: “Ku i ke bombat e merkatos drejtor Dervishi. Deri më tani ke sjellë vetëm shashka”. (ultrasit kërkojnë llogari për lëvizjet e bëra deri më tani në merkaton e të kuqve).

Agustin Kola, ish-trajner i Tiranës: “Asnjë nuk do që të shkoj te Tirana, të gjithë lojtarët janë në borxhe. Më dhimbset kjo skuadër, por drejtuesit janë fajtorë. Nuk janë tifozë ata që u paguan presidenti 5 autobusë, pinë dy birra dhe fillojnë të zihen”.

Gilberto Fortunato, ish-sulmues i Tiranës: “Partizani ka pasur arbitra shumë të fortë në pjesën e parë të kampionatit”.

Sinan Idrizi, president i Flamurtarit: “Nuk do të ketë dimër të madh tek ne, siç është shprehur si shkrimtar një ish-futbollist i madh i Flamurtarit (i referohet një komenti të Sokol Kushtës). Këtij shkrimtari do t’i thahet pena. Ne po mendojmë privatizimin e klubit”.

Armando Cungu, trajner i Vllaznisë: “Nuk marrë lojtarë me telefon dhe video. Dua t’i shoh në stërvitje, ju besoj vetëm syve të mi”.

Armir Grima, drejtor sportiv i Vllaznisë: “Mesa duket kanë harruar të më njoftojnë për prezantimin e Cungut”. (ironizon me drejtuesit e bashkisë pasi nuk ishte i pranishëm në prezantimin e trajnerit të ri).

Arben Laze, president i Elbasanit: “Deri më tani ju kemi toleruar (u referohet lojtarëve), sepse ne si klub nuk kemi qenë korrektë me ju. Tani e tutje nuk ka me tolerime!”.

Igli Allmuça, trajner i Dinamos: “E nisim stërvitjen që në orën 09:00 dhe lojtarët vijnë të pangrënë. Nuk fitohet me barkun bosh”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"