“Lojtarët u treguan të duruar dhe ja shpërblimi, kemi shansin që të kapim elitën”, Bruka: Bëmë një mrekulli!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2022 | 14:55


“Lojtarët u treguan të duruar dhe ja shpërblimi, kemi shansin që të kapim elitën”, Bruka: Bëmë një mrekulli!

Alban Bruka e quan një mrekulli atë që ka bërë Besëlidhja e tij. Një ekip që deri para pak javësh ishte gozhduar në zonën e rënies dhe rrezikonte seriozisht, sot po lufton për të kapur elitën. Me tri fitoret e fundit, trajneri i quan të mbyllura llogaritë me mbijetesën. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai thekson se kanë nisur sulmin për të kapur “play off”-in dhe vetëm 4 pikë i quan totalisht të rikuperueshme. Edhe pse i është dashur që të eksperimentojë hera-herës, mendon se shpërblimin e ka marrë tashmë dhe ndihet krenar për këtë grup.

alban bruka

“Pas shumë përpjekjesh dhe vuajtjesh, ia dolëm dhe tashmë jemi më të qetë. Mendoj se i kemi mbyllur llogaritë me mbijetesën dhe tani do të nisim një rrugë të re. E kemi shfaqur tashmë ambicien tonë, po shohim ‘play off’-in. Rregullorja e re na jep një shans për të pretenduar ngjitjen në elitë dhe nuk ne nuk do ta humbasim.

Këtë sezon e nisëm ndryshe, duke rinovuar në themel ekipin, duke e ndërtuar kryesisht me futbollistë lezhjanë. Këtë na e mundësoi elementi cilësor në ekipet e moshave. Si çdo fillim ndryshe, edhe ky sezon startoi jo lehtë e kështu vazhdoi deri në mbyllje të fazës së parë.

Gati gjysmën e parë të sezonit thuajse ishim gozhduar në zonën e ftohtë apo shumë afër saj, por me punë e përpjekje arritëm këtu ku jemi. Jam shumë i kënaqur për durimin dhe punën e deritanishme, pasi po ndërtojmë një ekip me perspektivë. Përtej eksperimenteve, që ndonjëherë të çojnë drejt dështimit, ne ia dolëm që ta linim zonën e rrezikshme.

Pra, një rrugë e dy punë. Edhe ndërtuam një ekip ‘bio’ dhe po mbijetojmë për mrekulli në një periudhë tranzitore që po kalon Kategoria e Parë. Këtë vit bien direkt 4 ekipe dhe 2 do t’u nënshtrohen ndeshjeve shtesë.

Për gjithë këtë ndryshim pozitiv të ekipit një kontribut shumë të madh pa dyshim që ka presidenti. Gjok Noka na besoi edhe kur kemi marrë rezultate shumë negative. Mbështetja e tij tani duhet shpërblyer me rezultate dhe besoj se do ia dalim me sukses. Jo vetëm të kapim zonën ‘play off’, por nga aty të tentojmë, pse jo, ngjitjen.

Tani po mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Maliqit, pasi nuk duam që ta prishim rreshtin e fitoreve. Për të tjerat mendojmë rrugës”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane. Sakaq, skuadra nisi dje përgatitjet anti-Maliq. I presin në shtëpi dhe llogaritë bëhen vetëm me fitoren.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL