Lojtarët të ngjitur pas topit, këshilla domethënëse e Gegës për “demat” e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 17:32

Lojtarët të ngjitur pas topit, këshilla domethënëse e Gegës për “demat” e Partizanit

Partizani ka vijuar edhe dje përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku të dielën, në orën 17:00, në “Selman Stërmasi” presin Luftëtarin. Që nga fillimi i punës dhe deri më sot trajneri Gega nuk e ka pasur të plotë grupin, pasi dihet se tre titullarë dhe dy lojtarë të rinj kanë qenë të grumbulluar nga ekipet kombëtare. Hoxha u kthye i dëmtuar, ndërsa Mala dhe Hebaj presin që të luajnë sot në Estoni me Kombëtaren U-21 dhe nesër pritet që t’i bashkohen grupit.

Partizani

Përpos këtyre mungesave dhe dëmtimeve, ekipi duket i qetë dhe në harmoni para sfidës me gjirokastritët. Gjithsesi, trajneri Gega dhe stafi po mundohen që ta mbajnë në çdo hap ekipin me këmbë në tokë, duke anashkaluar presionin e jashtëm dhe euforinë dhe të fokusohen vetëm te terreni stërvitor dhe fusha e lojës.

Trajneri Gega mbetet kërkues ndaj të tijve dhe kërkesa e tij është që ekipi të luajë thjesht, kombinativ dhe të jenë të shpejtë në veprime. Këtë gjë trajneri e ka kërkuar edhe gjatë seancës së djeshme, duke u tërhequr vëmendjen lojtarëve që nuk ndaheshin shpejt nga topi.

Gega u ka tërhequr vëmendjen lojtarëve të fazës sulmuese, që të mos e mbajnë shumë topin në zotërim, por të kombinojnë me njëri-tjetrin, pasi kështu ata shfrytëzojnë edhe cilësitë e tyre, ku spikat shpejtësia dhe rezistenca. Tani nuk bëhet më fjalë për eksperimente, pasi pak a shumë Partizani e ka krijuar fizionominë e tij, duke u bazuar te një formacion tip.

Baza mbetet e pandryshuar edhe për Luftëtarin, me përjashtim të ndonjë ndërrimi të detyruar, siç është rasti i dëmtimit të kapitenit Hoxha. Zakonisht balotazhi ka qenë në vijën sulmuese, kryesisht dyshja Hebaj-Mensah, ku gjasat janë që ndaj gjirokastritëve titullarë të jetë sulmuesi ganez. Nëse nuk ia del Atanda, vendin e tij pritet ta zërë Gojkoviç në qendër të mbrojtjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"