“Lojtarët ta shijojnë në maksimum”, flet Egbo : Tirana do japë gjithçka, te zviceranët kemi problem… gjatësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 30, 2020 | 23:53


“Lojtarët ta shijojnë në maksimum”, flet Egbo : Tirana do japë gjithçka, te zviceranët kemi problem… gjatësinë

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, është shfaqur besimplotë në prag të ndeshjes me Jang Bojs. Në konferencën për shtyp pak minuta para stërvitjes së fundit, nigeriani i bardhebluve theksoi se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për kualifikimin. Gjithashtu ai shtoi më tej se e kanë studiuar mirë kundërshtarin dhe do provohet arritja historike.

egbo

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe jashtëzakonisht e vështirë, por ne jemi gati për të përballuar 90 minuta. Këtë do ta shikojmë në fushë. E njohim kundërshtarin, mënyrën e lojës së tyre, çfarë ekipi kanë. Kemi ndjekur 2-3 ndeshjet e fundit të tyre dhe bëhet fjalë për një skuadër të fortë dhe me lojtarë shtatlartë. E kemi analizuar Jang Bojs dhe kemi besim se do ta përballojmë me sukses”, ka thënë fillimisht Egbo. I pyetur për gjendjen e skuadrës dhe a janë lojtarët në formën më të mirë, ai u shpreh: “Tirana nuk mund të jetë në 100 % të formës, pasi kampionati nuk ka nisur ende. Kemi luajtur vetëm dy ndeshje në Ligën e Kampioneve, ndërsa Jang Bojs përveç Europës, ka bërë edhe tri takime në kampionat”.

“Ne kemi folur me Vangjelin. E kemi parë ndeshjen e Skënderbeut ndaj Jang Bojsit, ku treguan paraqitje shumë të mirë. Kemi kërkuar nga Vangjeli që me përvojën e tij të na ndihmojë në këtë ndeshje. Kanë kaluar 5 sezone që atëherë, ata kanë ndryshuar nga koha kur Vangjeli ishte kundërshtar me ta. Ne e kemi analizuar dhe do provojmë. Presioni nuk është te ne por te kundërshtari. Unë e di që lojtarët tanë do të kenë më shumë entuziazëm.

Kjo do të jetë hera e parë për Tiranën me këtë arritje dhe lojtarët duhet ta shijojnë ndeshjen e nesërme në maksimumi. Nëse do kishim mundësinë të kishim disa opsione, për të bërë lëvizje, mund t’i bënim, por këta lojtarë kemi dhe do përpiqemi të marrim maksimumin me këta. Është e vërtetë që ata kanë lojtarë të gjatë dhe kjo mund të jetë problem, por ne do të përpiqemi t’i marrim masat. Do arrijmë ta gjejmë një strategji për ndeshjen e nesërme.

Hoxhallari? Është një lojtar që po ta kishim në fushë do kishim më shumë gjatësi, por nëse do ishte ai në fushë, do na jepte një ndihmë për gjatësinë që nuk e kemi në ekip. Me Dinamo Tbilis, kur nuk luante Hoxhallari luajti Ismaejlgeci dhe bëri shumë mirë.

Ne dimë të marrim maksimumin nga mundësitë që na jepen. Nëse ne e kemi analizuar mirë kundërshtarin, atëherë këtë do e tregojë fusha”, u shpreh Egbo.

Nga i dërguari i ynë në Zvicër, Olsi Avdiaj

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com