“Lojtarët më thanë që s’do zbresin në fushë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2016 | 16:48

“Lojtarët më thanë që s’do zbresin në fushë”

Tërbuni nuk po kalon ditë të mira. Premtimet boshe që vijnë vazhdimisht nga Bashkia Pukë ua kanë sosur durimin jo vetëm lojtarëve, por edhe vetë stafit teknik. Aq e rënduar është situata, saqë mund të rrezikohet seriozisht edhe ndeshja kundër Tiranës, e programuar këtë të diel, ora 19:00, në “Selman Stërmasi”.terbuni1 Këtë gjë e thotë vetë Viktor Gjoni, i rikthyer dje në krye të skuadrës, pas pushimeve disaditore në Itali. Trajneri gjatë një bisede me “Panorama Sport” shprehet i lodhur nga gënjeshtrat. “Nuk është e drejtë që lojtarët të mos paguhen.

Bashkia Pukë po i mban me gënjeshtra futbollistët, duke u thënë se do t’i merrni sot apo nesër dhe në fund nuk kanë marrë asgjë. Administrata të tregohet më e matur, ndaj t’ia kalojnë rrogat ekipit. Lojtarët nuk mund ta shtyjnë pa u paguar.

Ata meritojnë të marrin djersën e tyre, pasi kanë kontribuar dhe po kontribuojnë në fushë pa marrë asnjë lek. Të vetmet para që mund të kenë marrë, i kam dhënë nga pak unë, nga xhepi im. Kjo nuk më takon fare, por ua bëj hallall, i kam trajtuar si fëmijët e mi.

Sot (dje) u ktheva nga Italia, por para se të nisja stërvitjen lojtarët më kërkuan që të uleshim dhe bisedonim për rrogat. Ata nuk presin më, madje më thanë që nuk do të luajnë ndaj Tiranës nëse s’likuidohen. Unë i kuptoj, pasi kanë të drejtë.

Por u kërkova që të zhvillonim këtë takim me dinjitet dhe të marrim një rezultat pozitiv. Por, nëse nuk i japin edhe javën që vjen, bashkë me lojtarët do të shkojmë në bashki”, u shpreh Gjoni, duke treguar hapur situatën në të cilën ndodhet skuadra e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"