“Lojtarët e Pogradecit merren vesh si me kod”, trajneri i Besës zbërthen tre rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 23:13

“Lojtarët e Pogradecit merren vesh si me kod”, trajneri i Besës zbërthen tre rivalët

Besa nuk ka ambicie për Superioren, por në 6 ndeshjet e fazës së tretë nuk do të kursehet aspak, pasi ka një projekt serioz për sezonin e ri. Mbetet për t’u parë në këtë cikël ndeshjesh çfarë do të bëjë realisht Besa e trajnerit Kashami. 

Kashami

Ai e nisi mjaft mirë punën, me fitoren 2-3 në Bilisht, por më pas u ndërpre kampionati. Trajneri kavajas, pasi premton se skuadra që drejton do të jetë serioze në fushë, duke dhënë gjithçka ka, bën një analizë të tri skuadrave të tjera, Pogradecit, Apolonisë dhe Lushnjës, që garojnë për ngjitjen në elitë. Ja çfarë thotë Kashami konkretisht:

POGRADECI – “Kjo skuadër është kompakte dhe e ndihmon shumë përvoja e konsiderueshme që ka grupi i saj. Merren vesh si me kod, kanë lojtarë që bashkëveprojnë mirë. Pogradeci luan në bllok dhe nuk mbështetet te individë të veçantë, ndaj është shumë i fortë.

Kam vetëm një dyshim të vogël, duke qenë se është në vend të parë, i duhet të mbajë presionin e rivalëve. Në Pogradec kam përshtypjen se nuk do të gaboj, ndërsa transfertat janë tepër të vështira. S’është aspak çudi të gabojnë përballë nesh”.

APOLONIA – “E njoh mirë, sepse e kam drejtuar para pak kohësh. Mbështetet bukur te futbollistët e rinj të talentuar që i ka me shumicë e që premtojnë mjaft. Pas kësaj periudhe të gjatë shkëputjeje, varet cila do të jetë forma e futbollistëve.

Apolonia, në fakt, është një ekip me energji të mëdha fizike. Nuk ka një lider që ta marrë për dore në momentet kur ndeshja ndërlikohet. Apolonia ka impulse dhe motivohet nga trajneri Artan Mërgjyshi, i cili njihet për punën e mirë me të rinjtë. Apolonia, më tepër se tri ekipet e tjera të grupit, mendoj do vuajë mungesën e tifozëve, sepse është skuadër me moshë të re dhe kërkon më tepër përkrahje nga publiku”.

besa

 LUSHNJA – “Një shprehje thotë, kur grinden dy vetë, përfiton një i tretë. Nga ky këndvështrim, Lushnja mund të përfitojë nga gabimet e dy rivaleve të saj. Skuadra drejtohet me disiplinë të hekurt nga trajneri Gjyla. Në takime të tilla vendimtare, siç do jenë këto që po afrojnë, ky element bëhet shpesh përcaktues.

Lojtarët me shumë përvojë mund të jenë një tjetër avantazh, sepse në të tilla situata ata gabojnë më pak. Lushnja nuk është stoike në mbrojtje, është ekip që kërkon të fitojë terren dhe të ketë epërsi ndaj kundërshtarit. Është një ‘armë’ e rëndësishme për të kontrolluar ndeshjen”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"