Lojtarët e Kukësit kërkojnë të solidarizohen, por rrogat i pengojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 12:33

Lojtarët e Kukësit kërkojnë të solidarizohen, por rrogat i pengojnë

Mbas dy ditëve pushim për shkak të tërmeteve, ekipi i Kukësit ka rinisur stërvitjen gjatë paradites së djeshme. Para se të niste stërvitja, futbollistët janë takuar me njëritjetrin dhe janë interesuar nëse kanë pasur pasoja. Për fatin e mirë asnjë prej lojtarëve të Kukësit nuk është dëmtuar nga kjo tragjedi që mbërtheu Shqipërinë. Trajneri Duro së bashku me stafin teknik kanë takuar me radhë lojtarët dhe kanë pyetur secilin për gjendjen e tyre. 

kukesi

Kërkesa për pushim

Klubi i Kukësit është solidarizuar me situatën e nderë të tërmeteve në vendin tonë. Për shkak të gjendjes së rënduar emocionale e psikologjike, drejtuesit e lanë dy ditë pushim ekipin, por natyrisht dhe për shkak të shtyrjes së kampionatit. Ditën e martë dhe pse të shokuar, ekipi zhvilloi gati i gjysmuar stërvitjen. Me kërkesë të lojtarëve dhe me mirëkuptimin e stafit futbollistët u larguan nga Tirana.

Kishte nga ata, si kapiteni Musolli dhe Kitanovski, të cilët ishin larguar fill pas lëkundjes së fuqishme në mëngjesin e të martës. Duke qenë familjarë e duke përjetuar atë situatë, lojtarët në fjalë larguan familjet urgjent nga kryeqyteti. Kapiteni u largua për në Kosovë, ndërsa Kitanovski drejt Maqedonisë së Veriut. Kapiteni u rikthye dje, ndërsa mbrojtësi i majtë Kitanovski nuk është kthyer akoma, pasi ka qenë i shokuar nga ajo që ka ndodhur. Klubi e ka mirëkuptuar dhe i ka lënë dhe dy ditë kohë për t’u rikthyer. Gjithashtu janë kthyer dhe futbollistët e tjerë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, si Ethemi, Maliqi, Daku e Gavazaj.

kukesii

Pengesa për solidarizim

Pas seancës stërvitore lojtarët e Kukësit janë nisur drejt mensës së klubit, ku kanë drekuar. Këtë kohë ata e kanë shfrytëzuar për të qëndruar me njëritjetrin, për të treguar eksperiencat e ndodhitë e tyre në këtë gjendje të jashtëzakonshme që ndodhet Shqipëria. Ata kanë përcjellë lajmet dhe kanë hedhur diskutime për donacione. Pra, të gjithë si klub të kontribuojnë për qytetarët e prekur nga tërmeti. Por, për të bërë këtë solidaritet, atyre u kanë munguar financat, prandaj si grup kanë folur me drejtuesit e u kanë kërkuar lëvrimin e rrogave, pagesën e muajit tetor. Këtë kërkesë të lojtarëve drejtues të Kukësit e kanë përcjellë më lart.

kukesi

Por, këtij problemi akoma nuk i është dhënë një zgjidhje dhe për këtë arsye aktualisht akoma ekipi nuk ka zhvilluar një nismë konkrete. Plani është gati, dëshira e mirë për të ndihmuar të prekurit është absolute, por çështja ka ngecur për shkak të financave. Natyrisht disa individë të veçantë brenda klubit kanë shkuar në mënyrë private duke ndihmuar me veshmbathje dhe ushqime në Thumanë. Gjithsesi, futbollistët presin për të gjetur një zgjidhje dhe për të kontribuuar dhe ata si çdo koleg apo klub i Superiores për të dëmtuarit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"