Lojtarët e Dinamos marrin pagat, dëmtim misterioz për qendër mbrojtësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 18:06

Lojtarët e Dinamos marrin pagat, dëmtim misterioz për qendër mbrojtësin

Dinamo prej dy javësh ka afruar një trajner si Fabricio Kamarata, i cili përveçse një lojtar i nivelit të lartë, zotëron edhe patentën më të lartë të trajningut, UEFA PRO. 

dinamo

Me ardhjen e tij, Dinamo u rikthye te rezultatet pozitive. Kryeqytetasit barazuan 1-1 me Veleçikun në Pezë-Helmes, në një ndeshje që në fakt duhej ta fitonin, sepse janë në vend të fundit dhe shumë pikë prapa rivalëve. Ata dominuan në atë ndeshje me raste, por nuk arritën te fitorja, sepse nuk kanë përvojë dhe një lojtar goli. Pozitiv është fakti që ekipi dukshëm u shpreh më mirë dhe më qartë në fushën e lojës.

MUÇA – Trajneri Kamarata ka një numër lojtarësh të rinj në dispozicion, si Reçi, Alcani, Boçi etj., por i mungon një nga lojtarët më të rëndësishëm, Erxhan Muça. Ishkapiteni prej javësh nuk ka qenë në formacion dhe deri para pak kohësh në klub flitej se ai kishte një tërheqje muskulore, që thuajse kishte kaluar.

Muça doli në stërvitje vetëm 2-3 seanca stërvitore në fillim të javës që shkoi, por tashmë gazeta mëson se qendërmbrojtësi mungon sërish, madje i është dhënë pushim absolut. Në fakt, dëmtimi i Muçës është pak misterioz. Një problematikë tjetër ka dalë më pah dhe mësohet se Muça ka probleme nervore me pulpën. Nga burime të ndryshme pranë klubit dinamovit jepen alternativa të ndryshme. Gjithsesi, tërheqje apo probleme me pulpën, fakt është se shtatlarti do t’i mungojë ekipit dhe për të paktën dy javë. Muça është një lojtar me eksperiencë dhe patjetër do t’i bënte punë trajnerit Kamarata, por duket se ky vit kalendarik do të mbyllet pa të.

PAGAT – Edhe pse administratori i ri i Dinamos, Marko Pontreli, ndodhet në vendin e tij, zyrtarët e tjerë të klubit blu kanë bërë likuidimin financiar të lojtarëve. Pagesa është bërë në dy grupe: shumica janë paguar ditën e shtunë, ndërsa një grup prej 4-5 lojtarësh janë paguar ditën e djeshme. Sakaq, ekipi po përgatitet për t’u përballur me Tërbunin këtë fundjavë dhe do të kërkojnë me çdo kusht rezultat pozitiv.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"