Lojtarët dy muaj pa rroga, klubi i Kategorisë së Dytë: Një e kanë gjobë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 22:11

Lojtarët dy muaj pa rroga, klubi i Kategorisë së Dytë: Një e kanë gjobë…

Në Librazhd ankohen për rrogat. Sezoni ka përfunduar, por te Sopoti nuk janë mbyllur ende llogaritë financiare me lojtarët dhe stafin teknik. Janë vetë protagonistët që e pohojnë një gjë të tillë për “Panorama Sport” dhe ndihen vërtet të shqetësuar, pasi bëhet fjalë për dy muaj.

Sopoti Shkumbini

Kjo i ka bërë lojtarët jabanxhinj të enden hera-herës në Librazhd për të takuar ndonjë nga drejtuesit e për të mësuar më shumë se ç’do të bëhet me pagat e tyre. E megjithatë, zgjidhje nuk ka ende. I pyetur nga “Panorama Sport” lidhur me këtë çështje, administratori Andri Çota dhe njëherazi nënkryetar i Bashkisë Librazhd tha:

“Lojtarët kanë për të marrë pagat e dy muajve, por nga këto vetëm një do u lëvrohet. Një tjetër do t’u mbahet në formë gjobe për mosarritjen e objektivit, që ishte ngjitja në Kategorinë e Parë. Këto ditë do të bëhet edhe likuidimi i tyre”. Teksa sezoni ka dy javë që ka përfunduar, mbetet për t’u parë se kur do të zgjidhet ngërçi i krijuar mes bashkisë dhe futbollistëve, të cilët kanë paralajmëruar se do të largohen nga ekipi nëse nuk paguhen sipas kontratave që kanë nënshkruar.

LEDION QOSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"