“Lojtarët duhet të tregojnë se e meritojnë fanellën”, Gvozdenoviç: Me Lushnjën dua kampionë në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2023 | 21:50

“Lojtarët duhet të tregojnë se e meritojnë fanellën”, Gvozdenoviç: Me Lushnjën dua kampionë në fushë

Skënderbeu humbi shansin për t’u kurorëzuar kampion i Kategorisë së Parë një javë para mbylljes së kampionatit. Kishin 15 javë radhazi që shkëlqenin, por përballë Besës e pësuan.gvozdenovic

Gjithçka bëhet më e vështirë për titullin, sidomos kur dihet që ndeshjen e fundit do ta luajnë në transfertë me Lushnjës, një ekip që kërkon që t’i shpëtuar zonës së “play out”-it. E gjithë kjo situatë ka mërzitur pa masë trajnerin e bardhekuqve. Ivan Gvozdenoviç nuk mjaftohet vetëm me ngjitjen, por kërkon trofe.

GABIMET – Në një prononcim për “Panorama Sport”, serbi tregon gabimet e bëra në këtë takim dhe “shkund” lojtarët.

“Ndeshja me Besës duhet harruar sa më shpejt, nëse duam ta mbyllim me sukses këtë sezon. Kishim frikë se mund të ndodhte dhe ja ku ndodhi. I gjithë ekipi ishte në gjumë dhe nuk arriti dot të dilte në lojën që kërkohej. Unë e di si shkon puna në futboll, nëse nuk je i përqendruar maksimalisht. Ishim në festë para se ajo të vinte zyrtarisht, ishim në gjumë me mendjen se kishim fituar atë takim jashtë fushe. Ka qenë një ndeshje për t’u harruar nga i gjithë ekipi. Ndoshta ishte edhe gabimi im që nuk arrita të jap impaktin e duhur ekipit në këtë ndeshje. Por të ndëshkohesh ashtu është me të vërtetë e vështirë për t’u pranuar. Ishim edhe të nervozuar dhe kjo më shqetëson”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës korçare.

POROSITË – Trajneri zbulon edhe çfarë u tha lojtarëve në dhomat e zhveshjes direkt pas humbjes. Ai pret që ata të mbledhin forcat dhe të reagojnë ashtu siç u ka hije kampionëve.

“Unë e pashë të udhës që të flas me lojtarët menjëherë pasi mbaroi ndeshja. U mbyllëm në dhomë dhe kemi diskutuar gjatë. U thashë se asnjë nga ne nuk ka bërë minimumin e asaj që duhet të bëjnë kampionët, por kemi qenë të gjithë në gjumë. I kam kërkuar që të jemi të përqendruar, pasi nuk kemi mbaruar punë akoma me objektivin tonë kryesor. Unë dua ta mbyll sezonin me trofe dhe të kem motiv më shumë për të vijuar rrugëtimin këtu. Ua thashë që në ndeshjen e fundit se duhet përqendrim maksimal dhe mbi të gjitha mentalitet kampioni. Është specifike, pasi një top mund të ndryshojë gjithçka sa i përket rrugëtimit tonë. Tani kemi edhe një javë për të përgatitur. Luajmë me Lushnjën dhe të gjithë duhet të tregojnë se e meritojnë këtë fanellë. Duhet të na vijë keq për tifozët që nuk mundëm të ngriheshim në nivelin e tyre. Lushnja e bën më të vështirë takimin, pasi kërkon maksimumin. Ne duhet të bëjmë kampionët në fushë”, mbylli prononcimin e tij Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"