Lojtarë të tjerë kanë qëndruar gjatë jashtë fushave, frikë te Kukësi për afrimin e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 28, 2020 | 15:47


Lojtarë të tjerë kanë qëndruar gjatë jashtë fushave, frikë te Kukësi për afrimin e verës

Kukësit i ka shërbyer jo pak kjo periudhë bojkoti e kampionatit, pasi duke qenë një nga skuadrat që ka bërë më shumë lëvizje në merkato, grupi i futbollistëve të ardhur në muajt shtator dhe tetor ka pasur nevojë për harmonizim me njëri-tjetrin. Trajneri Skënder Gega është i kënaqur me ecurinë e stërvitjes në këtë periudhë dhe mendon se tashmë skuadra është për të përballuar sezonin.

gashi

Mirëpo, në ditët e fundit ajo që ka shqetësuar stafin teknik ka qenë dëmtimi i sulmuesit të krahut, Albin Gashi. Prej pak ditësh lojtari ka zhvilluar stërvitje individuale, teksa klubi ka njoftuar se ai ka pasur ngarkesë fizike. Në këto kushte, për shkak të lodhjes muskulore është stërvitur i diferencuar për të mos rrezikuar më tepër. Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se 23-vjeçari, përveç asaj që ka njoftuar klubi, ka pasur edhe dhimbje shpine.

Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse është stërvitur i diferencuar. Deri këtu drejtuesit nuk shqetësohen, por halli i tyre është se mos lojtari ka ndonjë problem serioz në shpinë dhe kësisoj është ngarkuar stafi mjekësor të merret posaçërisht. Gashi ka rreth një javë me dhimbje, por pa u zhvilluar të gjitha vizitat përkatëse, klubi dhe lojtari nuk mund të jenë të jenë të qetë. Situata e sulmuesit të ardhur nga Austria po monitorohet dhe në klub besojnë se nuk do të ketë diçka serioze.

Frika në klub ekziston vetëm për faktin se dëmtime të tilla kanë pasur në të kaluarën edhe lojtarë të tjerë dhe kanë qëndruar gjatë jashtë fushave. Gjithsesi, dje Gashi ka provuar të stërvitet me grupin dhe gjendja e tij do të shikohet hap pas hapi. Futbollisti me origjinë nga Kosova vjen pas aktivizimit te Florisdorfer në Ligën e Dytë austriake. Ai është produkt i akademisë së Rapidit të Vjenës dhe gjithashtu një lojtar i grumbulluar nga kombëtaret e moshave të Austrisë. Në klub janë të bindur se me cilësitë që ka, do të arrijë të zëvendësojë si duhet Kristal Abazajn.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com