Lojtarë si avatarë, Barça i beson inteligjencës artificiale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 22:20

Lojtarë si avatarë, Barça i beson inteligjencës artificiale

Barcelona nuk është vetëm një klub sportiv me fokus sportin dhe arritjet sportive. Barcelona është pjesë e klubeve novatore në Europë, që besojnë te teknologjia dhe zhvillimet teknologjike për përmirësimin e rezultateve sportive.

CAMP NOU BARCELONA

Albert Mundet, drejtor i “Barça Innovation Hub”, Dr.Gil Rodas, drejtues i zonës mjekësore dhe Laia Soler, nga qendra e ekselencës sportive të Barcelonës, morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët, ku është diskutuar për zhvillimet teknologjike dhe inovative që mund të ndihmojnë në zhvillimin e futbollit. Doktor Gil Rodas foli për inteligjencën artificiale, që sipas tij do të ketë një rol të rëndësishëm në futbollin e së ardhmes.

Ai zbuloi se “çdo vit kompanitë vijnë në klubin e Barcelonës për të na shitur produktet e tyre që na lejojnë të reduktojmë numrin e lëndimeve. Por ne kemi nevojë për shumë më tepër informacion dhe ta ndajmë me ekspertë të tjerë. Çdo vit kemi nga 40 deri në 50 dëmtime dhe inteligjenca artificiale do të na shërbejë për ta reduktuar këtë numër. Me algoritme të ndryshme ne mund t’u japim informacion trajnerëve në mënyrë që ata ta përdorin atë”.

Në këtë kuptim, ai vlerësoi gjithashtu trajnimin neurokognitiv, që mund të ndikojë jo vetëm në reduktimin e dëmtimeve, por dhe rritjen e performancës së lojtarëve. Mjeku i Barcelonës foli gjithashtu edhe për realitetin virtual. “Realiteti virtual mund të jetë i dobishëm në rikuperimin e lojtarëve. Për shembull, kur ata rikuperojnë ligamentin kryqëzues.

Nëse stërvitim trurin përpara përgatitjes fizike, kjo mund t’i ndihmojë lojtarët të përgatiten për t’u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur në fusha. Neuroshkenca mund të ndihmojë në fushën e sportit”, ka thënë ai. Nga ana e saj Laia Soler, anëtare e komitetit të përsosmërisë sportive të Barcelonës, ka theksuar gjithashtu rëndësinë e inteligjencës artificiale.

“Impakti i saj është se krijon modele të pafundme që qeniet njerëzore nuk janë në gjendje t’i krijojnë. Ne i shohim sportistët si avatarë”, por secili me specifikat e veta tha ajo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"