Lojtarë nga jashtë vendit, Nica tregon planin e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2017 | 14:16

Lojtarë nga jashtë vendit, Nica tregon planin e Laçit

Stavri Nica arriti të bënte një punë mjaft të mirë te skuadra e Laçit, duke u siguruar mbijetesën kurbinasve në një sezon futbollistik që u duk pothuajse i dështuar.

nica

Megjithatë Laçi ende nuk ka nisur punë për sezonin e ri futbollistik dhe një gjë e tillë ka vënë disi në dyshim të ardhmen e trajnerit durrsak në krye të ekipit për sezonin e ardhshëm. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Stavri Nica nuk e fsheh dëshirën që të vazhdojë të jetë në krye të ekipit.

“Natyrisht që kam dëshirë të jem në drejtimin e Laçit edhe për sezonin e ardhshëm, pasi kemi bërë një punë të mirë aty. Por, në fund është presidenti ai që vendos për një gjë të tillë.

Ende nuk kam folur në lidhje me të ardhmen me presidentin Laska dhe për këtë arsye nuk mund të them më shumë, megjithatë unë kam besim tek ai”, ka deklaruar Nica që gjithashtu ka refuzuar të japë një koment në lidhje me lojtarët.

“E kam të pamundur të them diçka për skuadrën, pasi duhet që më parë të flas me presidentin dhe të diskutojmë edhe për këtë pikë”, ka mbyllur trajneri. Aktualisht, situata te skuadra e Laçit nuk është shumë pozitive, duke qenë se një pjesë e lojtarëve janë larguar dhe duhen përforcime.

Drejtuesit kanë nisur bisedime me disa futbollistë jashtë vendit ku edhe duket se e kanë përqendruar merkaton e tyre. Grumbullimi i ekipit parashikohet që të nisë muajin e ardhshëm, por ende nuk ka një datë të saktë.

Jeton Rexhamti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"