Lojtar universal, Grizman ka shënuar kudo. I vetmi sulmues që ka realizuar në çdo…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 14:43

Lojtar universal, Grizman ka shënuar kudo. I vetmi sulmues që ka realizuar në çdo…

Barcelona shpenzoi 120 milionë euro për të transferuar Antuan Grizmanin për të përcaktuar ndeshje më të rëndësishme se ajo e së mërkurës në raundin e 1/16-ave të Kupës së Mbretit kundër Ibizës. Por duke menduar pasojat që do të kishte një eliminim nga skuadra e Segunda Divizionit B, ndoshta duhet pranuar se më në fund sulmuesi francez ka nisur të justifikojë çmimin e tij.

GRIZMAN

Dopieta e ish-yllit të Atletikos, e cila përfshiu edhe golin e përmbysjes në kohën shtesë, shmangu që Kike Setien ta niste karrierën e tij në stolin e katalanasve me një njollë. Në mungesë të Lionel Mesit dhe Luis Suarezit të dëmtuar, ishte Grizman ai që duhet të merrte përgjegjësitë e sulmit mbi shpatullat e tij në një ditë të keqe të skuadrës.

Këto dy gola të shënuar në Ibiza, e bëjnë 28- vjeçarin të vetmin futbollist të Barcelonës që ka realizuar në çdo kompeticion këtë sezon: 7 gola në La Liga, 1 në Champions, 2 në Kupën e Mbretit dhe 1 në Superkupën e Spanjës. Kontributi i tij në Ibiza ua ngroh disi zemrat tifozëve katalanas. Por nëse Grizman dëshiron që të adhurohet në “Camp Nou”, atëherë ai duhet të nisë të luajë kështu edhe në Ligën e Kampioneve.

grizman

“Nuk e kam arritur ende maksimumin tim. Po përpiqem të përmirësoj lojën time dhe po e bëjmë këtë”, tha sulmuesi në zonën miks pas ndeshjes. Pa Mesin dhe Suarezin ai luajti në një pozicion më qendror në sulm dhe tregoi se është më efikas në këtë rol. “Luajta pak më i avancuar sesa zakonisht. Më erdhën dy shanse dhe shënova dy gola”, shtoi francezi. Me Suarezin jashtë për 4 muajt e ardhshëm, ai ka shans për të lënë shenjën e tij.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"