Lojtar krahu dhe një fantazist, Teuta projekton edhe 2 goditje në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 17:02

Lojtar krahu dhe një fantazist, Teuta projekton edhe 2 goditje në merkato

Teuta ka zyrtarizuar deri më tani në merkato lojtarë si Aldrit Oshafi, Blerim Krasniqi, Iran Gonçalves, Asion Daja, Vasil Petani, Erando Karabeci dhe Denis Pjeshka, ndërkohë që me skuadrën durrsake po stërviten edhe mbrojtësi Brendon Smajli e mesfushori Ledjon Xhymerti, dy të rinj që kanë qenë më parë te Vllaznia dhe Iliria e Fushë-Krujës.

Teuta

“Panorama Sport” mëson se klubi durrsak nuk do të ndalet me kaq në merkaton që mbyllet më 2 tetor. Vetë trajneri Edi Martini ka thënë shpesh javët e fundit që ekipit i duhet edhe një lojtar i afirmuar në rolin e fantazistit, pikërisht si Sherif Kallaku që u largua pas përfundimit të sezonit te Lokomotiva e Zagrebit.

Mirëpo, krahas mesfushorit organizator, Teuta do të kërkojë të plotësojë kontingjentin edhe me një lojtar krahu, që mund të përshtatet më së miri në të djathtë ose në të majtë. Duke dubluar çdo repart, Martini do të jetë më i qetë për të përballuar sezonin 2020-2021. Ndërkohë, largimi i qendërmbrojtësit boshnjak Kenan Hreljiç i ka zvogëluar alternativat në repartin e prapavijës.

Aktualisht, skuadra durrsake ka të gatshëm në këtë pozicion vetëm tre futbollistë, pikërisht kapitenin Renato Arapi, Rustem Hoxhën dhe Artan Jaxhiun. Gjithsesi, së fundmi u afrua shkodrani Denis Pjeshka, një lojtar polivalent, i cili përdoret qoftë në qendër të mbrojtjes ashtu edhe nga krahët.

Teuta

Në gjithë repartin e prapavijës Pjeshka ka luajtur në të kaluarën te Vllaznia, Laçi dhe Flamurtari. Ndërkohë, prioriteti i klubit për momentin është të marrë një lojtar me karakteristikat e Kallakut për të zgjidhur çështjen e lojtarit që furnizon sulmuesit me topa.

Në pozicionet e tjera në mesfushë tashmë konkurrenca është bërë e madhe pas afrimeve të Erando Karabecit dhe Asion Dajës. Në ndeshjen ndaj Granadës trajneri Martini aktivizoi treshen Aleksi-Avdyli-Daja, ndërsa në pozicionet e tjera ishin E.Vila dhe L.Vila nga krahët, që ndihmojnë Krasniqnin në majën e sulmit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"