Lojërat Europiane në Minsk, Shqipërinë e nderon boksieri Alban Beqiri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2019 | 16:26

Lojërat Europiane në Minsk, Shqipërinë e nderon boksieri Alban Beqiri

Dita e dytë e Lojërave Europiane “Minsk 2019”, pa të zbrisnin në garë sportistët kuqezinj të xhudos, qitjes dhe boksit, ku ishte vetëm boksieri Alban Beqiri ai që arriti të shkëlqente.

lojerat europiane shqiperia

Të parët që konkurruan ishin qitësit Henri Rrufa dhe Manuela Delilaj, të cilët garuan në disiplinën mikse “pistoletë 10m air”, por nuk ia dolën të kalonin për në raundin tjetër. Madje u renditën në vendin e fundit ndërmjet 27 ekipeve, ku grumbulluan gjithsej 554 pikë, po aq sa Bjellorusia.

Ndërkohë, dy sportistët do të vijojnë sot me garat individuale, ku Rrufa do të garojë në orën 9:15, ndërsa Delilaj në orën 11:15. Xhudisti Indrit Çullhaj u eliminua në raundin e parë, pas humbjes që pësoi ndaj sllovenit Adrian Gomboc në ndeshjen e kategorisë së peshave -66 kg. Sportisti kuqezi, nga i cili pritej shumë duke parë edhe rezultatet e tij pozitive në arenën ndërkombëtare, nuk ia doli dhe u mposht me ‘ippon’ në duelin e tij të parë.

Megjithatë Çullhai ishte i pafat, pasi shorti e vuri përballë kampionit të Europës. Për sa u përket boksierëve, i pari që u ngjit në ring ishte Arjon Kajoshi, i cili konkurroi në peshat 75 kg. Kajoshi nuk ia doli dhe u mposht me rezultatin 4-1 në duelin e vlefshëm për 1/16 nga bjellorusi Panku Vadzim. Atë që nuk e bëri Kajoshi e realizoi Alban Beqiri, i cili zhvilloi një paraqitje fantastike, duke shkatërruar me rezultatin 4-1 rivalin francez, Rajan Jahia-Berruige.

Me këtë sukses Beqiri pret biletën për në raundin 1/8, ku do të sfidojë sot në kategorinë e peshave 69 kg moldavin Vasili Belous. Ky duel do të startojë në orën 18:30. Boksieri tjetër kuqezi, Mikel Çullhaj, i cili dueloi në peshat 81 kg, u mposht 5-0 nga holandezi Artjom Kasparian, ndërsa Krenar Zeneli (56 kg) do të duelojë nesër në ndeshjen e vlefshme për raundin e 1/8- ve, ku do të përballet me zviceranin Tiago Punjo.

Sot do të jetë gjithashtu radha e çiklistëve, ku do të pedalojnë Ylber Sefa, Klidi Jaku, ndërsa ai që do të ulë siparin e kuqezinjve do të jetë mundësi Eriglent Prizreni, i cili të zbresë në tapet në datën 26 qershor.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"