Lojë “spiunësh” te Tirana, Kuli i prish skemat Shehit. Zv.trajneri i Bylisit ndjek stërvitjen, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2021 | 8:17

Lojë “spiunësh” te Tirana, Kuli i prish skemat Shehit. Zv.trajneri i Bylisit ndjek stërvitjen, por…

E hëna ka qenë një ditë e çuditshme te Tirana. Stërvitje vetëm një orë. Orges Shehi nuk zhvillon taktikë dhe të gjithë para kohe në dushe. Në fakt, ky veprim i durrsakut i çuditi të gjithë, ndërsa të martën u zbulua arsyeja e vërtetë e këtij nxitimi për të mbyllur stërvitjen e së hënës.

8D2A5ABE-C039-4578-94E0-42B9B3503A4B

Në “Skënder Halili” luhej Tirana-Bylisi U-21 dhe ekipi mik ka trajner Bekim Kulin. Për koincidencë, Kuli është edhe ndihmësi i Dovedanit dhe së bashku me skuadrën, para se të zhvishej, po shihte nga afër stërvitjen e Tiranës. Ama kjo u ra në sy drejtuesve të Tiranës, të cilët me stil e mbyllën stërvitjen për të mos lejuar spiunazhin sportiv ndaj bardhebluve. Shehi nuk ka dashur që të zbulojë formacionin dhe për këtë qëllim nuk ka bërë pjesën e fundit të stërvitjes.

FORMACIONI – Tirana me shumë mundësi do të lërë pushim tre titullarë dhe kampionë të sezonit të shkuar. Elton Kale ndien dhimbje në shpatull dhe mund të qëndrojë pushim. Edhe Kristi Vangjeli do të lihet pushim, pasi nuk mund të përballojë
ende dy ndeshje në tri ditë. Torasa pas terapisë ka nisur punën, por veçmas.

Dje ka vrapuar me topin, por nuk është bashkuar për të luajtur. Me shumë mundësi edhe ai do të qëndrojë pushim ose sfidën e nis nga stoli. Me tre titullarë që mund të jenë jashtë, Tirana do të ketë në portë Bekajn. Mbrojtja do të jetë me tre ku e nis Hoxhallari, Toshevski e Behiratçe. Në mesfushë, Halili, Çelhaka, Toli, Giamfi që zëvendëson Bathën e Ismajlgeci që luan majtas.

FE7D803A-476A-4709-BA7C-9C90B7F4B044

Ndoshta është dita e duhur që Vairinen të luajë nga minuta e parë dhe të tregojë sa vlen në fushën e lojës. Tri blerjet e janarit, Seferi, Vairinen dhe Behiratçe, duhet të tregojnë në fushë maksimumin. Vetëm lojtari i Kombëtares e ka bërë një gjë të tillë, ndërsa finlandezi e mbrojtësi kanë shumë për të treguar në lojë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"