Lojë ofensive dhe shumë golashënues. Ja sekretet e suksesit të Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 20:29

Lojë ofensive dhe shumë golashënues. Ja sekretet e suksesit të Kukësit

Kukësi ka treguar se është një nga ekipet më simpatike të këtij fillimsezoni, jo vetëm për faktin se pas gjashtë javësh është në rangun e ekipeve pretendente, por më së shumti për atë që ka treguar në fushën e lojës. Ndaj asnjë kundërshtari verilindorët nuk kanë luajtur si inferiorë, por janë munduar që kundërshtarëve t’u imponojnë lojën e tyre, kjo në sajë edhe të filozofisë së trajnerit italian. Dhe, duke parë rezultatet e deritanishme, duket se jo çdo gjë është rastësore, ndonëse para nisjes së edicionit kishte skepticizëm për faktin se ishte krijuar nga e para thuajse një ekip i ri.

ndreca kukesi

GOLAT
Ndonëse trajneri italian nga ndeshja e parë dhe deri tek e fundit ka bërë shumë pak lëvizje në formacion, duke treguar se u beson pak a shumë të njëjtëve titullarëve, mund të thuhet se për momentin Kukësi nuk është i varur nga asnjë futbollist. Kjo, mjafton të shohësh se te kjo skuadër shënojnë të gjithë. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim këtyre gjashtë javëve kampionat dhe 13 golat e shënuar kanë pasur tetë autorë të ndryshëm, nga mbrojtja në sulm.

Më saktësisht, tre gola janë shënuar nga Basha, nga dy kanë realizuar Ndreca, Feijao dhe Milunoviç dhe nga një Gj. Taipi, Sh. Taipi, Peposhi dhe Daci. Fillimisht u mendua se verilindorët ishin të varur nga golat e kroatit Edi Basha, por lënia e tij në stol në përballjen ndaj Vllaznisë dhe marrja e tri pikëve tregoi se te Kukësi forca më e madhe është grupi. Fakt ky që është vënë shpesh në dukje edhe nga vetë Diego Longo, por që po përligjet më së miri në këto javë të para. Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për fillimin e kampionatit dhe mbetet për t’u parë ecuria në vazhdim, por të paktën për momentin duket se gjërat po funksionojnë mirë në skuadër.

KRAHËT 
Longo u ka dhënë një përparësi të veçantë mbrojtësve të krahut, të cilët duket se kanë bërë në njëfarë mënyre edhe diferencën deri më tani. Bëhet fjalë për Edison Ndrecën në të majtë dhe Ergys Peposhin në të djathtë, të cilët kanë detyra ekstra gjatë një ndeshjeje, të tentojnë më shumë në fazën ofensive. Kjo ka bërë që të kenë mundësi për t’i dhënë një impuls tjetër sulmit, madje të shënojnë edhe gola, të cilat në fund kanë rezultuar vendimtarë.

Njëkohësisht bëhet fjalë për dy lojtarë që e njohin mirë portën, pasi Ndreca gjatë sezonit të kaluar me Bylisin shënoi 6 gola, ndërsa Peposhi rolin e tij natyral e ka një sulmues krahu, ndaj edhe dalja e tyre në fazën ofensive është një armë plus për ekipin e Longo

Vladimir Mema-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"