“Loja s’më pëlqeu”, Mançini i kënaqur vetëm me tre pikët: Kishim shumë për të humbur, Retegui supergoleador

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 8:50

“Loja s’më pëlqeu”, Mançini i kënaqur vetëm me tre pikët: Kishim shumë për të humbur, Retegui supergoleador

Pas humbjes në de butim kundër An glisë, Italia gjen fitoren e parë ku i vetmi konfirmim pozitiv është Mateo Retegui, zgjedhja surprizë dhe basti personal i radhës i Roberto Mançinit, i cili sërish ka parë drejt tek i riu italo-argjentinas.

MANCINI

“Retegui ishte vendimtar, sepse zhbllokoi shpejt ndeshjen dhe na i bëri gjërat shumë më të lehta për vazhdimin e sfidës, edhe pse ishte normale që ta kishim lojën në dorë dhe ta komandonim atë. Por goli i tij i shpejtë na largoi shumë probleme, duke qenë se ndeshje si kjo me Maltën, sa më tepër që kalojnë minutat, aq më të bezdisshme bëhen dhe shtojnë presionin. E rëndësishme është që ai konfirmon cilësitë, të cilat ne të gjithë duam, por le ta lëmë të qetë të ambientohet. Të mësojë se cili është futbolli ynë, cili është futbolli që luhet në Europë kundrejt atij argjentinas dhe të mos i vëmë presion”, u shpreh si fillim tekniku italian.

Më pas ai shtoi: “Hap mbrapa kundrejt Anglisë? Në aspektin e lojës po, dhe po flas për atë që ofruam në pjesën e dytë. Në të parën pashë gjëra të mira, në të dytën aspak të mira dhe kjo nuk më pëlqen. Edhe pse ndaj Maltës ishte një ndeshje në të cilën ne kishim gjithçka për të humbur nëse nuk merrnim tri pikët, është po aq e vërtetë dhe e përsëris se ndeshje si kjo bëhen të sikletshme nëse nuk i zhbllokon. Skuadra si Malta mbyllen të gjitha pas vijës së topit dhe krijojnë konfuzion, jo vetëm në zonë, por edhe në kokën e futbollistëve, siç mund të na ndodhte ne. Por edhe e siguruam fitoren që në pjesën e parë, nuk mund të pranoj që të jemi 2-0 dhe të kënaqemi me kaq. Këtë herë po i pranoj tri pikët e ardhura në këtë mënyrë, por në vazhdim jo më”, u shpreh Mançini.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"