Loja e dobët, Shehi shkund Tiranën. Trajneri mendon për riformatimin e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 12:18

Loja e dobët, Shehi shkund Tiranën. Trajneri mendon për riformatimin e…

Orges Shehi nuk dëshiron që të përsëritet më sfida me Shpresat të shtunën e kaluar. Pas paraqitjes zhgënjyese që skuadra bëri para 21- vjeçarëve, trajneri i Tiranës ka kritikuar skuadrën e tij për atë ndeshje, e cila sipas Shehit ishte shumë e dobët. Ai i ka paralajmëruar lojtarët që të mos neglizhojnë jo vetëm miqësoret, por edhe ndeshjen me Apoloninë.

Orges Shehi

Para lojtarëve ai ka thënë se, skuadra nuk duhet të ecë me idenë që luajnë me fundin e tabelës dhe e kanë të lehtë. Shehi ia ka bërë të qartë çdo individi se nuk toleron më lojën e dobët. Jo vetëm kaq, por nëse skuadra gabon duke lënë pikë në dy sfidat e radhës, për Tiranën kjo do të ishte vetëvrasje. Në fakt, skuadra bardheblu ka bërë një nga ndeshjet më të këqija në sfidën me shpresat, ndërsa paraqitja e të gjithëve ka qenë për t’u kritikuar. Dhe Shehi nuk i ka kursyer kritikat për skuadrën e tij që u mund 3-0 nga ekipi Kombëtar Shpresa.

FORMACIONI – Me dy mungesa të rëndësishme si Vangjeli e Hoxhallari, Orges Shehi mesa është kuptuar ka vendosur edhe për formacionin. Pas tri javësh kthehet Bekaj, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Behiratçhe, Najdovski e Toshevski. Toli e Kale luajnë për një fanellë djathtas. Në mesfushë Çelhaka e Batha, ndërsa majtas luan Ismajlgeci. skuadra do të luajë me tre sulmues, Torasën, Halilin dhe Seferin. Gjatë javës mund të ketë ndonjë variacion të vogël në pozicionim, por pak a shumë kjo është skuadra që do ta nisë të dielën nga minuta e parë.

Bardheblutë plotësohen vetëm ditën e enjte, me lojtarët që janë shpërndarë te kombëtaret. Çelhaka e Ismajgeci kthehen të mërkurën, ndërsa të enjten vijnë Bekaj e Hoxhallari që janë me Shqipërinë dhe Kosovën. Skuadra nuk vuan asnjë dëmtim. I vetmi që nuk është në maksimumin e mundësive të tij është Elton Kale, që vuan dhimbjet e shpatullës. Klubi bardheblu pret shpërthimin lojtarëve të marrë në janar si Vairinen që sërish nuk ka mundur të shënojë as në miqësoren me ekipin Shpresa. Bardheblutë janë 7 pikë larg vendit të parë dhe vetëm pesë pikë nga Europa dhe kanë mundësi më shumë se për të shpëtuar sezonin.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"