Llullaku nuk dorëzohet: Në Kazakistan futboll i vështirë, por do kthehem te Astana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2017 | 12:45

Llullaku nuk dorëzohet: Në Kazakistan futboll i vështirë, por do kthehem te Astana

Në Rumani ishte kryegolashënuesi, por paraqitjet e fundit në Kazakistan nuk kanë qenë të njëjta. Azdren Llullaku u huazua nga Astana te Tobol, por sulmuesi i Kombëtares ka shënuar vetëm një gol. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi bën me dije se çfarë do të ndodhë me të në vijim dhe kontratën që ka në Kazakistan. Gjatë fjalës si tij, sulmuesi ka folur në lidhje me ndryshimet dhe mentalitetin që ka Panuçi në krahasim me De Biazin.

Llullaku

FORMA

“Unë kam mbaruar sezonin në Kazakistan. Jam mirë në aspektin fizik dhe gjithashtu jam i lumtur që jam sërish në Kombëtare për ndeshjen e radhës miqësore, e cila do të na shërbejë për të testuar në fushë, por edhe grumbullimi na shërbeu që të njihemi me trajnerin apo edhe që ne lojtarët të qëndrojmë më gjatë me njëri-tjetrin”.

KAZAKISTAN

“Në Kazakistan ka qenë një vit personal jo fort i mirë në statistika. Është një diferencë e madhe dhe një futboll krejt tjetër nga ai në Rumani. Personalisht më vjen shumë keq që nuk arrita të tregoj veten. Megjithatë, i tillë është futbolli dhe më duhet të punoj akoma më shumë. Vetëm kështu do të kem shanset që të tregoj 100% vlerat e mia dhe kam besim se do të vijnë edhe rezultatet në Kazakistan”.

E ARDHMJA

“Unë kam edhe një vit kontratë me skuadrën e Astanës dhe do të rikthehem edhe një herë te kjo skuadër. Fillimisht do të jetë prioritet i imi që të qëndroj në këtë ekip, por të shohim”.

DIFERENCAT DE BIAZI-PANUÇI

“Për mua kanë një ngjashmëri shumë të madhe dhe që më pëlqen shumë prej të dyve. Si De Biazi edhe Panuçi kanë mentalitet italian mbi futbollin dhe unë ndihem mirë”.

EKIP SULMUES

“Normale që në sulm duhet të tregojmë më shumë. Që në miqësoren e nesërme (sot) do të mundohemi të tregojmë veten, aftësitë që kemi”.

PRESIONI

“Nuk duhet të kemi kurrë presion në futboll. Unë personalisht nuk kam asnjëherë. Kjo është puna më e mirë në botë dhe më bën që të jem gjithmonë me dëshirë maksimale për të dhënë më të mirën në futboll”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"