Llogaritë për Europën/ Partizani e ka malore! Kukësit i duhen stabilitet, Laçi favoriti i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2022 | 22:13

Llogaritë për Europën/ Partizani e ka malore! Kukësit i duhen stabilitet, Laçi favoriti i madh

Pas përcaktimit të dy finalistëve të Kupës, që do të jenë Vllaznia për të dytin sezon radhazi, dhe Laçi, tashmë në pjesën e sipërme të renditjes, nisin llogaritë për arritjen e Europës.

partizani-vllaznia

Kanë mbetur edhe shtatë javë për t’u luajtur dhe 27 pikët ende në lojë janë vendimtare për të përcaktuar vendin e dytë dhe të tretë që të çojnë direkt në Ligën e Konferencës dhe vendin e katërt, që me një kombinim me fituesen e Kupës mund të sigurojë Europën. Janë katër ekipe në garë për dy vende europiane, teksa distanca e Laçit të vendit të dytë dhe e Vllaznisë së vendit të pestë është 7 pikë, e arritshme kur janë shumë pikë në lojë dhe të gjitha skuadrat kanë treguar se janë të luhatshme.

PËRBALLJET DIREKTE – Gjithsesi, për të përcaktuar të ardhmen, në këtë rast është e rëndësishme edhe e shkuara. Në tabelë janë pasqyruar të gjitha përballjet direkte ndaj këtyre skuadrave, që janë përcaktuese në rast se në fund përfundojnë me pikë të barabarta. Pavarësisht se është në vendin e pestë, Vllaznia është më e avantazhuara në përballjet direkte. Shkodranët janë mbi Partizanin dhe Laçin (me kurbinasit i kanë mbyllur përballjet), ndërsa vetëm Kukësi ka precedent pozitiv ndaj tyre.

LLOGARITË E KUPËS – Laçi mund të themi se është momentalisht skuadra më favorite për t’u kualifikuar në Europë. Djemtë e Shpëtim Duros renditen në vendin e dytë, pas Tiranës, por kanë edhe shans të kualifikohen në Ligën e Konferencës përmes Kupës së Shqipërisë. Megjithëse në vendin e pestë, edhe Vllaznia është vetëm një ndeshje larg Europës. Nga ana tjetër, me renditjen aktuale, Partizani do të ishte tifoz i Laçit në finalen e Kupës.

Në rast se kurbinasit e mbajnë vendin e dytë apo të tretin, lirohet rruga e Europës për “demat”, që ndodhen aktualisht të katërtit. Ndërkohë, gjithmonë duke marrë parasysh renditjen aktuale, Vllaznisë i duhet vendi i katërt për të siguruar Europën, pra kundërshtari i madh i shkodranëve është Partizani. Nëse kapin vendin e katërt dhe e humbin finalen e Kupës, sërish shkodranët janë në finale. Kukësi nga ana tjetër, ashtu si Partizani, lufton në vetëm një front dhe duhet të mbajë vendin e tretë për ta pasur në dorën e vet fatin e kualifikimit në Ligën e Konferencës.

Bilancet e rivaleve direkt logo

PËRBALLJET E FUNDIT – Në ndeshjet e fundit tifozët bëhen më të ndjeshëm dhe nëse luan në shtëpi vijnë në masë në stadium dhe të ndihmojnë shumë. Vllaznia, që ka mjaft mbështetës, është shumë e avantazhuar për sa i përket këtij aspekti. Shkodranët i luajnë në “Loro Boriçi” dy përballjet e mbetura ndaj Kukësit dhe Partizanit. Këta të fundit janë më “të dënuarit” në këtë aspekt, sepse betejat e fundit i luajnë të tria në transfertë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"