LLOGARITË/ Panuçi “luan stolin”, ndërsa Shqipëria fatet e grupit. Ja për çfarë luftojmë sot…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 20:07

LLOGARITË/ Panuçi “luan stolin”, ndërsa Shqipëria fatet e grupit. Ja për çfarë luftojmë sot…

Liga e Kombeve është formati që mori udhë për herë të parë këtë vit. Me këtë kompeticion, UEFA ofron mundësi kualifikimi në Europian, si dhe shmang ndeshjet miqësore. Po me Shqipërinë çfarë ndodh? Sa vlerë ka ndeshja e fundit? Çfarë rezultati është i favorshëm për ne? Këto e shumë pyetje të ngjashme na bëjnë të kuptojmë se është koha që Shqipëria të marrë laps e letër në dorë për të bërë llogaritë.

Skoci-Shqiperia

Po, po, kalkulime sesi mund të dalë e para në grup, mundësi shumë e vogël dhe duhet një mrekulli rezultatesh (fitore 4-0 ndaj Skocisë dhe fitore minimale e Skocisë ndaj Izraelit në fund), por mbi të gjitha, si shmanget dështimi. “Panorama Sport” sjell një rezyme të plotë me gjithçka duhet të dimë sa u përket llogarive të Shqipërisë në raport me rregulloren mbi të cilën funksionon Liga e Kombeve për të shmangur rrezikun duke qenë se kualifikimi në vend të parë kërkon thuajse një mrekulli (fitore 4-0 ndaj Skocisë dhe që kjo e fundit të fitojë 1-0 ndaj Izraelit).

Për çfarë luajmë  Shqipëria e nisi me fitore edicionin e Ligës së Kombeve përballë Izraelit me rezultatin 1-0, ndërsa në takimin e dytë u mund 2-0 në Skoci dhe po kaq në Izrael, 2-0. Si për t’i “prishur” llogaritë, tri ditë para përballjes me ne, Izraeli ia doli që të triumfojë në shtëpi ndaj Skocisë. Pra, izraelitët janë në kuotën e gjashtë pikëve dhe Shqipëria me Skocinë me nga tri pikë.

Çfarë ndodh nëse fitojmë? Në rast se Shqipëria fiton ndaj Skocisë, arrin në kuotën e gjashtë pikëve dhe më pas do të duhet që të bëjë llogari. Me se? Llogari jo vetëm me ato që ka bërë vetë në këtë kompeticion, por edhe me ndeshjen e fundit mes Skocisë dhe Izraelit. Me një fitore hipotetike ndaj Skocisë, Shqipëria arrin në kuotën e gjashtë pikëve, duke barazuar Izraelin dhe lë Skocinë me 3 pikë.

Varianti i parë Në këtë moment llogaria minimale e kuqezinjve për të shmangur vendin e fundit në grup është një fitore e Izraelit (shkon 9 pikë), e cila lë Skocinë në kuotën e 3 pikëve, pra të fundit.

Varianti i dytë Ose, pas fitores sonë ndaj Skocisë, ndeshja e fundit e grupit mes Skocisë dhe Izraelit të përfundojë barazim, e cila do të bënte që Izraeli ta mbyllë e para me shtatë pikë dhe Skocia e fundit me 3 pikë (ne qëndrojmë të dytët me gjashtë pikë pas fitores hipotetike me Skocinë), pra shmangim rënien në Ligën D.

Çfarë ndodh nëse humbim? Biem një Ligë më poshtë, në Ligën D për edicionin e ardhshëm. “Shqipëria bie në Ligën D në rast se nuk merr fitore ndaj Skocisë”, citohet faqja zyrtare e UEFA-s në llogaritë që ka bërë për të gjitha skuadrat. Rënia nga kategoria është automatike për çdo skuadër që renditet në vend të fundit në grupin ku bën pjesë, pra në rast se Shqipëria mbetet pas Izraelit dhe Skocisë. Në këtë rast, kuqezinjtë humbin në renditjen e FIFA-s, por rrezikojnë që në bazë të pikëve që do të grumbullohen, diskutohen edhe vazot në renditjen e UEFA-s.

Renditja

Klasifikimi Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit ndaj Skocisë. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, kuqezinjtë duhet që minimalisht të fitojnë. Pra, të arrijnë kuotën e gjashtë pikëve. Pas kësaj, kuqezinjtë do të barazoheshin me pikë me Izraelin që ka gjashtë pikë dhe do të jetë në pritje të përballjes së fundit mes Skocisë, që do të mbetej në kuotën e tri pikëve dhe Izraelit që e luan “finalen” duke pasur gjashtë pikë. Në rast se në ndeshjen e fundit edhe Skocia do të mundë Izraelin, të tria skuadrat do të barazoheshin me gjashtë pikë, atëherë mund të ketë një shans teorik për kualifikim si të parët. Sigurisht, për këtë, duhet që fitorja ndaj Skocisë të ketë qenë me goleadë në favor të kuqezinjve pa pësuar gol (minimalisht 4-0) dhe më tej bëhen llogaritë për renditjen kur skuadrat janë me pikë të barabarta (shih rregulloren e klasifikimit).

Vazot e UEFA-s dhe shorti për Europianin Në përfundim të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, më 21 nëntor do të ketë një renditje të përditësuar të skuadrave europiane në renditjen e UEFA-s. Kjo do të bëjë edhe përcaktimin e vendeve në vazot që do të përbëjnë shortin e kualifikueseve të ardhshme për Europianin. Në përfundim të të gjitha ndeshjeve të grupeve në Ligën e Kombeve, bëhet përllogaritja e pikëve dhe pozicionimi i kombëtareve europiane në klasifikimin e UEFA-s dhe në vazot. Shorti për kualifikueset e Europianit do të hidhet më 2 dhjetor. Momentalisht, Shqipëria renditet në vend të 36-të në UEFA dhe përkatësisht në vazon e katërt. Në bazë të rregullores së Ligës së Kombeve, në Ligën C janë të pozicionuara skuadrat në pozicionet 25-39 (Shqipëria aktualisht është në vend të 36- të) dhe në Ligën D skuadrat nga vendi i 40 deri në të 55-tin, referuar renditjes së UEFA-s.

Nëse humbim ndaj Skocisë Nëse Shqipëria humb ndaj Skocisë, do të thotë që kuqezinjtë mbeten në kuotën e tri pikëve dhe zbresin në Ligën D. Në vazon e katërt të UEFA-s, për shortin e kualifikueseve të Europianit janë ekipet deri në vendin e 40-t. Pra, shansi që Shqipëria të qëndrojë në vazon e katërt është shumë minimal, që do të thotë se humbja ndaj Skocisë na sjell rënien në Ligën D dhe në vazon e pestë të UEFA-s që më tej, na përball me short më të vështirë për Europianin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"