Llogaritë e Kukësit, ja me sa pikë synojnë verilindorët që ta mbyllin fazën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 16:48

Llogaritë e Kukësit, ja me sa pikë synojnë verilindorët që ta mbyllin fazën e parë

Fitorja ndaj Laçit tregoi se Kukësit nuk i mungon potenciali këtë sezon, me ekipin që përpos rezultatit ka bërë edhe një paraqitje pozitive. Mirëpo, një fitore që praktikisht nuk ka asnjë vlerë nëse skuadra nuk e pason me të tjera. Kukësi është ende shumë larg kreut, teksa ka marrë vetëm pesë pikë në gjashtë takimet e para.

kukesi

Gjithsesi, sinjali i parë pozitiv u dha dhe tani në klub janë plot shpresë se ka ardhur kthesa dhe skuadra do të ngjitet më tej në klasifikim. Objektivi fillestar i ekipit është që të koleksionojë nëntë pikë në tri ndeshjet e ardhshme dhe në letër duket një objektiv i arritshëm. Me pak fjalë, synimi i të besuarve të Dobit është që të mbyllin fazën me 14 pikë, duke u rifutur në këtë mënyrë në “shinat” e kampionatit.

KALENDARI Në momentin që Kukësi mendohet se ka bërë kthesën, i vjen në ndihmë edhe kalendari, edhe pse ky kampionat ka treguar se nuk ka skuadra të lehta.

Verilindorët do të përballen me tri skuadra që në letër nuk janë pretendente, pavarësisht se në fushë kanë surprizuar me paraqitjet dhe rezultatet e marra deri më tani.

Fillimisht këtë të shtunë verilindorët do të presin në shtëpi skuadrën e Bylisit. Edhe pse do të luajnë pa prezencën e spektatorëve për shkak të dënimit të tyre, sërish në Kukës objektiv mbetet fitorja. Mallakastriotët po kalojnë një formë të mirë, por gjithsesi mund të kalohen.

Për të vijuar më pas me një transfertë ndaj Erzenit, e cila praktikisht luhet në fushë asnjanëse. Shijakasit kanë qenë një ndër surprizat e këtyre 6 javëve, ku humbjen e parë e pësoi pikërisht javën që sapo lamë pas ndaj Bylisit.

Për të mbyllur fazën, më pas në fund Kukësi ka një ndeshje shtëpie me Egnatian. Praktikisht, tri ndeshje të kalueshme në letër, ndonëse nga ana tjetër bëhet fjalë për ekipe që për momentin qëndrojnë më lart në renditje sesa skuadra e Kukësit.

SULMUESIT Nga java në javë te Kukësi del në pah nga një sulmues i ri. I fundit që ka rritur së tepërmi kredencialet e tij për të mbajtur peshën e këtij reparti është braziliani Gabriel Barbosa.

Më herët te verilindorët po kalonte një formë të mirë Kejdi Daci, por dënimi dhe më pas një dëmtim ia uli vrullin. Shpërtheu Zivkoviç në start me dy gola, por që është stopuar në ndeshjet e fundit.

Gjithsesi, e rëndësishme është që herë pas here Dobi mund të mbështetet te sulmuesi që është më në formë për momentin. Në fakt, 5 golat e vetëm në kampionat janë shënuar vetëm nga reparti i sulmit, aty ku pikërisht Dobi ka varur shpresat për të marrë rezultatet në ndeshjet në vijim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"