Llogaritë e Flamurtarit janë ende të bllokuara, Idrizi: Paguani linjat rozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 10:50

Llogaritë e Flamurtarit janë ende të bllokuara, Idrizi: Paguani linjat rozë

Flamurtari vazhdon me llogari të bllokuara. Një borxh prej 20 milionë lekësh (të vjetër) detyroi përmbarimin që të ndërmerrte këtë hap. Në klub as që kanë në plan ta paguajnë, ndaj presin zgjidhje nga Bashkia Vlorë.

SINAN IDRIZI

Sinan Idrizi do t’i kërkojë zyrtarisht këshillit që në mbledhjen e radhës t’i dalë për zot këtij detyrimi. 15 milionë lekë (të vjetër) janë vetëm për numrat e telefonit, të cilët administratori i quan “erotikë”. Borxhi i përket vitit 2012, kur klubi administrohej nga bashkia. Këto janë shpenzime që janë kryer nga 5 numra telefoni të regjistruar dhe 50 karta rimbushëse, ndërsa klubi i detyrohet kompanisë celulare “Plus”. Pjesa tjetër janë për qiratë e shtëpive të ish-trajnerëve dhe ishlojtarëve, që janë të pashlyera. Borxhi për shtëpitë me qira shkon në rreth 5 milionë lekë të vjetër.

KONFIRMIMI – Është vetë administratori që e konfirmon këtë. Sinan Idrizi pranon për “Panorama Sport” se do t’i drejtohet Këshillit Bashkiak. Ai pret që të merren masa për të zhbllokuar llogaritë e klubit që janë të bllokuara nga përmbarimi. “Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, do të kërkohet zhbllokimi i llogarive bankare të klubit. Këshilli duhet që t’u dalë për zot detyrimeve. Të vijnë t’i paguajnë dhe të marrin përgjegjësitë që kanë. Unë nuk paguaj për numra erotikë dhe për linja rozë. Unë i dal për zot Flamurtarit, sikundër u kam dalë përgjegjësive të mia. Por a ka ndonjë nga viti 2014 të na thotë që është përgjegjësia ime?

Aty ka një firmë dhe një vulë. Të mbajnë përgjegjësinë ose pastaj të padisin klubin për falsifikim nëse nuk është firma e tyre te numrat rozë. Pse ore, unë do paguaj bisedat dhe qejfet që kanë bërë këta me ata numra?! Nuk ka shanse që t’i paguaj, asnjë shans! Këshilli Bashkiak i Vlorës t’i paguajë dhe të na zhbllokojë llogaritë”, tha numri një i klubit kuqezi.

MESAZHI 0 Administratori ka një mesazh të qartë edhe për Këshillin Bashkiak të Vlorës dhe rrezikun që i kanoset për të ardhmen. “Vërtet kemi vendosur kodin ‘2023’, por të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për këtë. Kështu që, për misionin që kemi duhet të jemi të gjithë bashkë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"